Vuçiç: Kam respekt për Ramën, por ai s’është i autorizuar ta bëjë statutin e Asociacionit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka folur për propozimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për Asociacion.

Ai ka thënë se e respekton kryeministrin Rama por që nuk është i autorizuar të hartojë statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Vuçiq ka thënë se Rama nuk është anëtar i Ekipit Menaxhues dhe kësisoj nuk mund të bëjë draf-statut për Asociacionin.

“Me sa di unë, Edi Rama nuk është anëtar i Ekipit Menaxhues Serb. As kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili duket se dëshiron të bëhet pjesë e atij ekipi, pasi edhe ai ka diçka të shkruar, por nuk ka të drejtë ta ketë të shkruar”, ka thënë Vuçiq për TV Happy.

“Nuk kemi çfarë të negociojmë këtu. Na jepni vetëm parimet dhe organet e Asociacionit siç janë negociuar dhe siç e kam inicializuar në vitin 2015 me (në atë kohë kryeministrin e Kosovës) Isa Mustafa. Nuk kërkojmë asgjë më shumë. A e dini se kur do të jetë? Asnjëherë, sigurisht jo derisa Kurti është në pushtet”, ka thënë tutje ai./express