Varroset komandant Kushtrimi
Albeu.com
Rreth tre mijë njerëz i kanë dhënë lamtumirën e fundit Harun Aliut (39) i njohur si komandant Kushtrimi, i cili është personi i katërt i vrarë nga policia maqedonase në aksionin e së mërkurës në afërsi të fshatit Radushë.Në varrezat e fshatit Hasanbeg të Shkupit, ku edhe ka banuar Aliu, varrimi është bërë vetëm me nderime fetare, ndërsa pjesëmarrës kanë qenë bashkëluftëtarë dhe njohës të veprës së tij.

Në varrimin e Aliut morën pjesë edhe kryetari i BDK-së Hysni Shaqiri, deputetët Safet Neziri, Femi Arifi, Abedin Zymberi kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së Fazli Veliu.

Aliu, gjatë luftës së vitit 2001 është njohur me nofkën komandant Kushtrimi, kurse ka qenë njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) si dhe njëri prej anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të kësaj ushtrie.

Pas vitit 2001 ai kishte themeluar partinë Alternativa Kombëtare duke qenë kryetar i saj, por nuk ka shënuar ndonjë triumf të theksuar në politikë.

Pohohet se aktivitetin e tij kombëtar, komandant Kushtrimi e kishte filluar që në hedhjen e bombave në disa lokacione të ndryshme nëpër Maqedoni në vitet 1996-1997.

Harun Aliu, konsiderohej si organizator i grupit i cili në shenjë hakmarrjeje për aksionin policor në fshatin Brodec, më 3 janar të vitit 2008 sulmoi një xhip të policisë, gjatë të cilit sulm u vra polici Zoran Markovski, ndërsa katër kolegë të tij u plagosën. Që nga atëherë Aliu ishte në arrati dhe u dënua në mungesë me burg të përjetshëm. Në Kosovë dhe në Maqedoni flitet se Harun Aliu që nga ajo kohë po fshihej nëpër Kosovë, përkatësisht në rrethinën e Ferizajit.

Gjatë gjithë kësaj kohe, dyshohet se Aliu ishte ndër organizatorët kryesor të grupit që thirret në emër të UÇK-së në mbledhjen e të hollave tek mërgata shqiptare në Zvicër, për armatim.

Ende mbetet enigmë dhe e paqartë për shumë njerëz se si ka ndodhur vrasja e tij të mërkurën nga policia e Maqedonisë. Në furgonin që u sulmua rreth orës 3:00 të mëngjesit të së mërkurës janë vrarë katër persona në mesin e tyre edhe Xhafer Shala (31) nga Prishtina, si dhe për dy shtetasit e Maqedonisë, Qemal Fejzullahun (47) nga fshati Gërçec i Shkupit dhe Shaban Zenuni (36) nga fshati Merovë i Tetovës. (lajm/albeu)
Shtuar më 13/05/2010, ora 21:22
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori