Varhelyi jep lajmin e mirë: Kemi marrë dakordësinë për çeljen e negociatave me Shqipërinë
Komisioneri evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, në një konferencë për shtyp me kryeministrin Rama, tha se është dhënë dakordësia për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ai u ndal edhe tek raport-progresi që u prezantua dje, ku vlerësoi punën e Shqipërisë, por theksoi se ka ende punë për t’u bërë.

“Shpresoj që qytetarët e Shqipërisë do ta shikojnë këtë si lajm të mirë. Ne e bëmë të qartë se do të vazhdojmë punën tonë me Ballkanin Perëndimor, dhe do ta bëjmë këtë gjë edhe me politikën e zgjerimit, pasi e kemi atë shumë seriozisht.

Ne kemi mundur të marrim dakordësinë për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe kalojmë te segmenti i tretë i kësaj pune të madhe, që ka të bëjë me zhvillimin ekonomik dhe planin e investimeve.

Ky është një plan që e kemi ndërtuar së bashku me vendet e Rajonit. Kemi projektuar këtë paketë, pasi plani që jemi këtu sot për të prezantuar, mund të ndryshojë panoramën e Rajonit në mënyrë shumë të konsiderueshme në 4-5 vitet e ardhshme.

Po flasim për një projekt madhor, një plan që do të mund të fokusohet tek ato aspekte që sjellin vende pune dhe rritjen e ekonomisë.

Jemi këtu për t’ju ofruar ndihmën tonë. Në Shqipëri jemi të gatshëm të sjellim ato projekte që janë të rëndësishëm në aspektin vendor.

Jemi të gatshëm të flasin për “korridoret blu”, po ashtu të punojmë edhe për gazsjellësin, po ashtu edhe për dy projektet për hidrocentrale në vend dhe këto janë projekte madhore investimi, që do sjellin ndryshim shuam të madh. Pas 4-5 vitesh do të shohim edhe rikthimin e të rinjve në vend.

E shikojmë që ka ende sfida përpara dhe punë për të përforcuar, kundër korrupsionit, krimit të organizuar. Na duhet të jetë funksionale Gjykata Kushtetuese. Unë vizitova dhe anëtarët e ndryshëm të organeve të Vettingut.

E gjithë kjo punë është kyç që Shqipëria të ecë përpara në konferencën ndërqeveritare. Ne na duhet reformë e rëndësishme zgjedhore, në bazë të së cilës të sigurohen zgjedhje të lira e të ndershme”, tha ai.
Shtuar më 07/10/2020, ora 19:09

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori