Vangjush Dako thyen ligjin, hedh beton në zonën ku e ndaloi Gjykata
Kryebashkiaku i Durrësit thyen vendimin e Gjykatës Administrative, e cila pak ditë më parë vendosi që të ndaloheshin punimet për ndërtimin e “Velierës” në zonën A arkeologjike.

Por prej dy ditësh, punimet kanë rinisur, duke hedhur beton përreth “Torres Veneciane” dhe nëpër rrënojat e zbuluara nga gërmimet e kryera. Për këtë shkak, dje shoqëria civile ka protestuar sërish në Durrës.

Të shumtë në numër, protestuesit sfiduan reshjet e shiut dhe me pankarta nëpër duar me mbishkrimin “Mos ma prek Dyrrahun” ata i bënë thirrje kryebashkiakut Vangjush Dako të ndalë masakrën që po bën me vlerat arkeologjike në Durrës, raporton “Panorama”.

Protestuesit kërkuan ndërprerjen e punimeve në të gjithë pjesën e sipërme të rrugës dhe të respektohet vendimi i dhënë pak ditë më parë nga Gjykata Administrative. Ndërkaq, u theksua se edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar shkelje të shumta ligjore dhe ka kërkuar pezullimin e punimeve në zonën A arkeologjike, që ndodhet mbi rrugë.

“Jemi shumë të indinjuar, pasi nuk po respektohen institucionet shtetërore. Gjykata Administrative, Zyra Përmbarimore dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit kanë konstatuar shkelje ligjore dhe kanë kërkuar të ndërpriten punimet për ngritjen e “Velierës”, por me urdhër të kryetarit të Bashkisë Vangjush Dako dhe mbështetësve të tij punimet po vazhdojnë dhe rrënojat arkeologjike po mbulohen me beton. Tashmë nuk po dimë kujt t’i drejtohemi, pasi ligji po shkelet me të dyja këmbët”, u shpreh ambientalisti Sazan Guri.

Kjo protestë vjen në vazhdën e disa protestave të tjera të organizuara nga shoqëria civile, e cila po kërkon ndërprerjen e punimeve me argumentin se po cenohet trashëgimia kulturore e qytetit bregdetar.

Pas protestës së zhvilluar në kantierin e ndërtimit të “Velierës”, protestuesit marshuan drejt Bashkisë së qytetit, ku në shenjë simbolike vendosën disa gurë në shkallët e institucionit.

Gjatë gërmimeve dolën në dritë disa rrënoja arkeologjike, të cilat nuk janë certifikuar ende se cilës periudhë i përkasin. Paraprakisht arkeologët mendojnë se kemi të bëjmë me rrënoja të periudhës osmane./Albeu.com/
Shtuar më 26/02/2017, ora 08:41

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori