Idrizi votohet si nënkryetar, Dule jep dorëheqjen
Pak minuta më parë, Vangjel Dule është dorëhequr nga posti i nënkryetarit të Parlamentit.

Ai e mbante këtë post prej shtatorit të vitit 2013. Lidhur me këtë dorëheqje, Dule ka thënë se shkak është shndërrimi i institucioneve në "plaçke" këmbimi.

Vendimi i Dules për t’u larguar nga posti erdhi pas votimit sot në Parlament të Shpëtim Idrizit si nënkryetar i ri. Në një letër dërguar kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta si dhe kryetarëve të grupeve parlamentare të PS, Gramoz Ruçi dhe PD, Edi Paloka, z. Dule njofton dorëheqjen nga posti që mbante prej afro dy vjetësh si pjesëtar i koalicionit qeverisës.

“Shkak për këtë dorëheqje bëhet shndërrimi i institucioneve në “plaçkë” këmbimi në tregun e aleancave fluide, fenomen që bie ndesh me parimet, botëkuptimin dhe ndërgjegjen time politike”, thotë kryetari i PBDNJ në letrën e tij.

Shpëtim Idrizi është votuar si nënkryetari i tretë i Kuvendit të Shqipërisë, me 73 vota pro.

Kreu i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet nuk mori asnjë votë kundër dhe vetëm 1 abstenim në votimin në seancë plenare. /albeu.com/

Shtuar më 21/05/2015, ora 16:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori