Valls konfirmon mbështetjen e Francës në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE
Kryeministri Edi Rama, me ftesë të kryeministrit francez Manuel Valls, zhvilloi sot vizitën e tij zyrtare në Paris, ku u prit në selinë e qeverisë franceze nga kryeministri Valls.

Të dy kryeministrat, në takimin dypalësh që zgjati mbi një orë, vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes vendeve dhe shprehën vullnetin dhe angazhimin e përbashkët të dy qeverive për forcimin e bashkëpunimit të në ardhmen, me fokus në fushën e shërbimeve inteligjente, drejtësisë dhe policisë.

Kryeministri Rama i shprehu kryeministrit francez solidaritetin dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare, në luftën e përbashkët të vendeve kundër terrorizmit, kërcënimit më serioz të vlerave njerëzore në mbarë botën.

Nga ana e tij, kryeministri francez Valls, vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, si një qasje shumë pozitive për hapjen e negociatave, dhe insistoi për mbështetjen e Francës në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Kryeministri Rama falenderoi homologun francez për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Shqipërisë. Bashkëpunimi në fushën e kulturës ishte një prej temave të diskutimit, ku një interes të veçantë për palën mikëpritëse paraqitën nismat shqiptare në fushën e shkëmbimeve rinore, ku Shqipëria me traditën e saj të bashkëjetesës në paqe mes besimeve fetare, është një shembull frymëzues për një rini pa komplekse ndaj kulturave fetare dhe respekt ndaj besimeve të tjera.

Ndërkohë, Franca mirëpret Konferencën e Parisit 2016, ku kërkon që Shqipëria të luajë një rol kyç. Më pas, kryeministri Rama dhe homologu francez Valls, zhvilluan një takim kokë më kokë, në kopshtet e Matinjon. /albeu.com/
Shtuar më 03/12/2015, ora 14:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori