Valë vjedhjesh në Fushë-Arrëz, hajdutët i “çmontojnë” makinën nënkryetarit të bashkisë
Pëlqej
Një tjetër vjedhje ka ndodhur në Fushë Arrëz ku disa persona të paidentifikuar kanë dëmtuar dhe marrë pjesë nga makina e nënkryetarit të bashkisë Ndue Doda.

Vjedhja e makinave dhe banesave është kthyer në një fenomen që po përsëritet hera-herës në Fushë-Arrëz dhe banorët kanë ankesa dhe flasin me rezerva për punën e policisë.

Sipas tyre, qyteti i vogël verior është kthyer në një qytet për dënime policësh, të cilët kanë ardhur nga Shkodra, Tirana e zona të tjera dhe jo vetëm që nuk njohin terrenin por shpesh dhe nuk duan t’ia dinë për atë çfarë po ndodh.

“Janë vjedhur disa banesa, u thye dyqani i celularëve në mes të qytetit, po vidhen makina herë pas here dhe sërish nuk dihet çfarë po ndodh”, tregojnë qytetarët. Gjon Zeka një nga banorët e vjetër të Fushë Arrzit shprehet se në qytetin ish-industrial po mbizotëron frika dhe pasiguria tashme edhe në familje, shkruan BW.

“Për mua ka diçka që nuk shkon me rendin dhe sigurinë publike”, shprehet ai, teksa i apelon ministrit të brendshëm “të vërë dore ashtu si në të gjithë Shqipërinë edhe në Fushë Arrëz pasi jeta edhe e njerëzve këtu është e vlefshme si në zona të tjera të Shqipërisë”.

Sose Lusha është një nga banorët që pak ditë më parë ju vodh banesa. Ajo çdo ditë jeton mes ankthit dhe frikës nga ajo çfarë po ndodh në Fushë-Arrëz.

“Unë isha në Zvicër tek fëmijët në emigrim, kur më njoftuan se banesa ime ishte vjedhur. Kaq të sigurt kanë vepruar keqbërësit sa kanë pasur kohen e mjaftueshme për të hipur në çati e prej andej të futen në banesën time që ndodhet në katin e tretë. Unë jam e vjetër dhe ndjehem shume e pasigurt me këtë situatë që nuk ka ndodhur kaq masivisht në Fushë Arrëz ndonjëherë më parë”, thotë ajo.

Për më tepër banorët e Fushë Arrzit ndjehen të fyer pasi një nga makinat e shtrenjta që u vodh së fundmi i përkiste një mysafiri që kishte shkuar tek të afërmit në Fushë-Arrëz./Albeu.com/

Shtuar më 17/02/2017, ora 13:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori