Rrapaj dhe Rjepaj në burg për sterilizimin, Rama: Përgjegjësia individuale, pushteti një kafshë e egër

Biznesmeni Ilir Rrapaj dhe  ish-zëvendësministri Shëndetësisë Klodian Rjepaj  u arrestuan disa ditë më parë me kërkesë të SPAK lidhur me koncesionin e sterilizimit. Në një deklaratë për medien, Rama thotë se përgjegjësia edhe në këtë rast është individuale.

Rama: Sterilizimi është një nga punët më të bukura që ne kemi bërë. Kam marrë telefonata nga mjekë, profesorë që ishin të shqetësuar se mos kontrata do të sekuestrohej, por nuk ishte rasti. Por pse? Sepse me atë kontratë ne kemi ndryshuar shëndetësisë shqiptare në hallkën e vet më delikate që është ndërhyrja në trupin e njerëzve. Nëse në procesin e asaj kontrate, individë të caktuar kanë hyrë në gjynah me popullin dhe atdheun të cilit ne i shërbejë, do paguajnë. Kur ne zgjedhim, ne nuk i kalojmë njerëzit në sallën e torturave për të marrë vesh se çfarë mund të bëjnë ata në të ardhmen. Pushteti është një lloj kafshe shumë e egër, është shumë e vështirë ta mbash të zbutur dhe të mos biesh pre e dhëmbëve të veta. Këtu përgjegjësia është individuale e gjithsecilit që nuk e mban dot peshën e tundimeve për të bërë një rrugë e dy punë.

Nën akuzën e prokurorëve të Strukturës së Posaҫme Anti-Korrupsion (SPAK) u arrestua ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, për shpërdorim detyre, falsifikim dhe mashtrim në koncesionin e sterilizimit të instrumenteve kirurgjikalë në spitalet publike të Shqipërisë

Po ashtu u u arrestua edhe Ilir Rrapaj, pronar i kompanisë “Sani Service” që fitoi tenderin për koncesionin e sterilizimit.

Ky koncesion i formës Partneritet Publik-Privat (PPP) u dha në vitin 2015 nga Ministria e Shëndetësisë, dy vjet pas marrjes së mandatit të parë qeverisës nga kryeministri Rama.

Kompania koncesionare ”Sani Service” ka marrë përsipër të kryejë sterilizimin e instrumenteve kirurgjikalë.

Burime zyrtare njoftojnë se një qendër moderne sterilizimi brenda Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, e financuar nga qeveria, nuk ka funksionuar asnjëherë në këto 8 vite që nga fillimi i aktivitetit të kompanisë koncesionare e deri tani.

SPAK-u ka nxjerrë edhe 8 urdhëra të tjera arresti për zyrtarë të atëhershëm të lartë në Ministrinë e Shëndtësisë si edhe për anëtarë të komisionit të atëhershëm për miratimin e tenderave në ministrinë në fjalë.

Në njoftimin zyrtar të publikuar të enjten nga SPAK vihet në dukje që arrestimet “janë ekzekutuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit”.

Kronologjia e dyshimeve për korrupsion me paratë publike

Në dhjetor 2015 Ministria e Shëndetësisë lidhi për 10 vjet një kontratë koncesionare me kompaninë “Sani Service”. Kontrata kishte një vleë prej 100 milion euro. Kontrata në fjalë do të bënte të mundur që sterilizimi i instrumenteve kirurgjikale njëpërdorimësh të mos ofrohej nga vetë spitalet publike, por në mënyrë të unifikuar nga kompania “Sani Service.”

Tre vjet pas lidhjes së kontratës dhe aktivitetit të kësaj kompanie, më 2018, rezultoi që kostoja e shërbimit për sterilizimin e personalizuar të pajisjeve kirurgjikale ishte 28,3 përqind më e madhe nga shuma e caktuar në buxhetin e shtetit të atij viti.

Në fillim të vitit 2019 një grup pune i ngritur në Ministrinë e Shëndetësisë u angazhua të rishikojë setet kirurgjikale lidhur me numrin e instrumenteve në ҫdo set dhe ҫmimin e tyre me qëllim zvogëlimin e kostove.

Dyshimet për mashtrim dhe korrupsion ndaj buxhetit të shtetit dhe taksapaguesve të Shqipërisë lindën kur në kontratën prej 100 milion eurosh merrej përsipër sterilizimi vetëm për një numër të caktuar ndërhyrjesh kirurgjikale dhe jo për të gjitha, gjë që krijonte hapësira që të rritej kosto e ndërhyrjeve kirurgjikale për buxhetin e shtetit.

Në fund të vitit 2019, pak ditë pas ngritjes së SPAK-ut, kallëzimi i parë penal kësaj strukture i erdhi nga shoqëra civile. Nisma “Thurje” kërkoi hetimin e zyrtarëve të lartë publikë në Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me dyshime për abuzime me buxhetin e shtetit.

Tre vjet pas denoncimit dhe kthimit të nismës “Thurje” nga një lëvizje qytetare në një parti politike, afera e koncesionit të sterilizimit është në tavolinën e SPAK./Albeu.com/

 


Shtuar 25.08.2023 13:42