Vaksinat nga Kina dhe Rusia? Përgjigjet Rama: Respekt për shkencëtarët
Kryeministri Edi Rama ka folur në konferencën e ditës së sotme edhe në lidhje me mundësinë e furnizimit me vaksina të prodhuara nga Rusia apo nga Kina, duke u shprehur se kjo nuk do të ndodhë sepse Shqipëria është e përqëndruar vetëm te perëndimi.

Rama mbajti një konferencë për shtyp këtë të hënë para mbërritjes së 1170 dozave të para të vaksinave të kompanisë Pfizer, nga ku dhe deklaroi se Shqipëria po shikon dhe mundësi të tjera furnizimi, ama vetëm nga perëndimi.

Kryeministri tha se nuk ka asnjë paragjykim të natyrës shkencore në lidhje me vaksinat lindore dhe shtoi “respekt për shkencëtarët që i kanë dhënë jetë”, por Shqiperia është e përqëndruar drejt perëndimit.

“Kur flasim për negociata me AstraZeneca, ne nuk po negociojmë vetëm drejtpërdrejt, po negociojmë me disa shtete. Është një luftë tregtare, por jepen e merren vaksina, jo para.

Ka shumë politikë. Sa i përket vaksinave në anën lindore kineze e ruse, nuk di tjetër, asnjë paragjykim të natyrës shkencore, respekt për shkencëtarët që i kanë dhënë jetë, por zgjedhja jonë është që do kërkojmë vaksina në perëndim të Shqipërisë.

Është zgjedhje e bërë prej nesh, e përsëris, janë shumë komponentë bashkë. Nëse BE hapet ndaj vaksinave kineze e ruse, menjëherë shikojmë qasjen. Sa kohë BE është i mbyllur ndaj këtyre opsioneve, asnjë paragjykim shkencor apo natyrë tjetër, ‘’ tha Rama.
Shtuar më 01/02/2021, ora 21:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori