Vajza e Azem Hajdarit: Si ndjehem në Kuvendin ku "luftoi" im atë
Ajo është një ndër deputetet më të reja të Kuvendit të Shqipërisë por historia e saj me politikën i ka rrënjët shumë të thella.

Rudina Hajdari, vajza e Azem Hajdarit u bë pjesë e Partisë Demokratike dhe listës për deputetë pas ftesës së kreut të PD-së Lulzim Basha.

Sot ajo ka zënë vendin e babait të saj të ndjerë në Kuvendin e Shqipërisë, ndërkohë kurrë nuk ka treguar asnjë detaj mbi përjetimet e natës së 12 shtatorit ku humbur jetën Azem Hajdari, shkruan Panorama.

Pjesë nga intervista

Si e morët vesh që do të ishit në listën e kandidatëve për deputetë të PD? Si jua komunikoi zoti Basha?

Ishte një vendim i kryetarit të Partisë Demokratike dhe unë e mora vesh siç e morën vesh të gjithë kandidatët e tjerë, nuk pati ndonjë procedurë të veçantë për mua.

E prisnit një kandidim për deputete, ju kishte shkuar në mendje se një ditë mund të zëvendësonit babai tuaj në parlament?

Ishte një aspiratë e imja. Ishte realizim i të gjithë investimit të jetës sime, që unë e kam bërë me përkushtim të thellë dhe përgjegjësi të mbiemrit që mbaj.

Si u ndjetë kur kryetari i PD-së ju lajmëroi se do të jeni kandidate për deputete në Tiranë në një zonë të sigurt të listës?

Ishte realizimi i një ëndrre që unë e kisha pritur dhe e kisha ndërtuar me arsimim dhe pjesëmarrje aktive në ambientet e politikës.

Isha e vetëdijshme se kisha një përgjegjësi shumë të madhe, unë jam vajza e Azem Hajdarit dhe përgjegjësia ime para publikut, por dhe Partisë Demokratike, është shumë më e madhe se e kolegëve të tjerë.

Si e përjetuat ditën e parë si deputete, aty ku 26 vjet më parë ishte ulur dhe babai juaj?

Ishte shumë emocionuese dhe e veçantë, sepse atë ditë unë pata fjalimin e parë në atë parlament, por ajo ditë koincidoi edhe me 19-vjetorin e vrasjes së babait tim, Azem Hajdarit.

Ishte një rastësi e dhimbshme, ishte rastësi e bukur, ishte një rastësi e tillë që ndjeva, unë dhe ai ishim të dy në atë sallë. Emri i Azem Hajdarit, përmes meje, përmes ditës së shënuar, u rikthye dhe u artikulua atë ditë edhe në parlament.

Dukej sikur ishte një dëshirë e tij që 19 vjet pas ndarjes së tij nga jeta, e bija e tij të rikthehej në atë sallë ku ai aq shumë debatoi, punoi, bëri ligje, bëri beteja politike.

Ju bën përshtypje fakti që emri i Azem Hajdarit u kujtua atë ditë jo vetëm nga demokratët, por dhe kundërshtari politik, siç ishte kryeministri Rama, i cili me një status në FB, uroi zënien e karriges së Azemit prej vajzës së tij në Kuvend?

Si e patë këtë qëndrim?


M’u duk shumë normale, është një sjellje korrekte dhe mendoj se kjo i dedikohet dhe figurës së babait tim, i cili ka marrë vlerësime dhe nga kundërshtarët e tij politikë për shpirtin luftarak që kishte. Vlerë- simin për përfshirjen time në politikë e shoh korrekte dhe normale për një vend demokratik europian.

Ju keni qenë 12 vjeçe, kur është vrarë Azem Hajdari. Çfarë mbani mend nga ato ditë?

Mbaj mend që ka qenë një periudhë shumë e errët në jetën time. Ka qenë një periudhë e ngjeshur me ngjarje, 1997, 1998, plagosja në Kuvend, kishin shumë situata të vështira.

Ne i kemi përjetuar rëndë në familje këto ngjarje. Duke qenë se kam qenë në një moshë shumë të vogël, përjetimet e atyre ditëve i kam shumë personale dhe mendoj se duhet të mbeten personale e të mos i ndaj me publikun. /albeu.com/


Shtuar më 19/09/2017, ora 09:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori