E FUNDIT/ Super super Kumbulla! Shqiptari realizon supergol me Romën (VIDEO)
Urdhri i Kosovës, shefat e QSUT letër Berishës
Shfuqizimi i vendimit të bordit të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" përmes një urdhri të ministrit të Shëndetësisë, Halim Kosova për emërimin e shefave të shërbimit ka sjellë pakënaqësinë e këtyre të fundit.


Duke e konsideruar si të paligjshëm këtë urdhër, ata i kanë dërguar një letër kryeministrit Sali Berisha përmes së cilës kërkojnë moszbatimin e tij. Ndërkohë që, urdhri i Kosovës ka rikthyer në detyrën e përparshme të gjithë shefat e vjetër të shërbimeve, të cilët nga ana e tyre e konsiderojnë si të drejtë, shkruan Gazeta Shqiptare.

Letra e plotë

Zoti Kryeministër,
Duke ju kërkuar ndjesë për kohën e çmuar që ndoshta do ju marrim, por duke vlerësuar maksimalisht precedentin negativ që po krijohet me emërimet dhe çemërimet e shefave të shërbimit, në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Spitalin Universitar Obstetrik Gjine-kologjik "Mbretëresha Geraldinë" dhe "Koço Gliozheni" dhe Spitalin Universitar të Tiranës "Shefqet Ndroqi", duke sjellë në vëmendje vlerësimin tuaj për institucionin e shenjtë të shefit të shërbimit dhe situatën që po kalon vendi ynë.
Ne, shefat e shërbimeve të Qendrës më të madhe Universitare Spitalore në vend dhe të vetmes qendër spitalore terciare, po ju drejtohemi Juve si Kryeministër, si i vetmi Institucion që mund të rivendosni në vend jo vetëm dinjitetin dhe personalitetin e secilit nga ne, por mbi të gjitha për të rivënë në vend personalitetin e institucionit të shenjtë të shefit të shërbimit, të nëpërkëmbur së fundmi me një urdhër të ministrit Kosova. Sipas nesh:
- Së pari, urdhri i Ministrit revokon një VKM, pikërisht VKM nr.771, datë 07.11.2012, "Për miratimin e kritereve, për përcaktimin e numrit të personelit dhe kapaciteteve të njësisë së shërbimit në qendrat spitalore universitare", pas të cilit edhe në mirëkuptim me Ju, në përputhje me kriteret dhe standardet e institucioneve universitare spitalore u riorganizuan shërbimet në bazë të kritereve të Ligjit të Arsimit të Lartë dhe VKM nr.771, dt 07.11.2012. Mbi bazën e tyre u miratua një komision 'ad-hock' në përbërje të të cilit për herë të parë është përfshirë një profesor i huaj, u përzgjodhën kandidaturat sipas kritereve të ligjit dhe bordi votoi dhe shpalli kandidaturat fituese, pjesa më e madhe e të cilave është zbardhur me firmat e drejtorit të QSUT dhe Rektores, Jera Kruja. Të gjithë këta shefa janë prezantuar dhe kanë filluar detyrën.
- Së dyti, Ministri i Shëndetësisë "urdhëron" Rektorin e UMT të zbatojë një urdhër të Ministrit të Shëndetësisë, ndërkohë që ky atribut i takon Ministrit të Arsimit dhe Kryetarit të Bordit të QSUT, me urdhrin Nr.282 dt 30.04.2013 sipas të cilit Ministri urdhëron rikthimin e shërbimeve dhe shefat e tyre sipas strukturës dhe pozicioneve, para miratimit të VKM nr.771.
Zoti Kryeministër!
Ky urdhër arbitrar i ministrit Kosova, jo vetëm është i nxituar, por para së gjithash është i pa bazuar në ligj, nuk vjen në respekt të Ligjit të Arsimit të Lartë dhe VKM-ve respektive, e mbi të gjitha krijon precedentin e emërimit dhe zëvendësimit të shefave të shërbimit sipas preferencave personale të ministrit. Shefat e Shërbimit nuk janë lodra në duart e ministrave për t'u emëruar e çemëruar sipas dëshirave të tyre dhe kjo jo vetëm nuk është serioze për ne, por nuk i shërben, ose më mirë minon misionin e shenjtë të mjekut dhe pedagogut në shërbim të shëndetit të qytetarëve, procesit mësimor dhe kërkimit shkencor, ndërkohë që Ju, Z.Kryeministër, i keni vlerësuar ata si pasuri kombëtare, kurse me këtë urdhër të ministrit institucioni i shefit zhbëhet, krijon një amulli të pa precedent në QSUT, hap një sërë procesesh gjyqësore që shpesh nuk mbyllen asnjëherë, krijon artificialisht shërbime për një kohë të gjatë me "dy koka", duke pasur rrjedhoja në shëndetin e pacientëve.
Zoti Kryeministër,
QSUT dhe Universiteti i Mjekësisë i Tiranës, kanë probleme të tjera prioritare për të zgjidhur, para se të emërojnë e çemërojnë gjatë gjithë kohës shefat e shërbimit. Kjo është arsyeja që po ju drejtohemi Juve, për ta ndaluar zbatimin e këtij urdhri dhe për të rivendosur në vend dinjitetin dhe personalitetin e institucionit të shefit të shërbimit.
Bashkëlidhur keni dhe urdhrin e ministrit Kosova dhe ndërkohë ne, ose një grup nga ne, nëse do kishit kohë do dëshironim një takim me Ju.
Me respekt (firmat e 11 nënshkruesve)
Shtuar më 03/05/2013, ora 13:13

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori