Ura e Tapizës tepër e rrezikshme, duhet ndërhyrje emergjente (VIDEO)
Kjo tabelë u vendos pas konstatimit nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar se ura e Tapizës është një prej 8 urave të degraduara në vend. Masa u mor pas ngjarjes tragjike në Genova të Italisë, ku nga shembja e urës Morandi humbën jetën 43 persona, mes tyre edhe dy shqiptarë.

“E vetmja sinjalistikë, e cila tregon rrezikshmërinë e kësaj ure është kjo tabelë, e cila në fakt u kërkon drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të mos kalojnë në autokolonë. Por siç shihet nga pamjet kjo sinjalistikë nuk respektohet. Në momentin kur kalojnë automjete të rënda ajo dridhet, duke paraqitur rrezikshmëri për automjetet që kalojnë në këtë aks”.

Inxhinierët thonë se problemet në këtë urë të ndërtuar në vitet ’70, janë të njëjta me ato që kishte ura e Genovas.

“U konstatuan disa elementë të cilët praktikisht paraqesin rrezikshmëri. Ura ka lëkundje të jashtëzakonshme, sidomos në ngarkesat e mëdha. Dy nga këmbët qëndrojnë thjeshtë në pilota, çka do të thotë se ka probleme me themelin. Në disa zona që ishin serioze përsa i përket strukturës së konstruksionit kishte zbulim të armaturës së hekurit dhe degradim të saj. Këtu ekziston mundësia potenciale e një risku për këtë urë. Situata teknike e kësaj ure duhet marrë urgjentisht me seriozitet, kjo është një urë që i ka kaluar të gjitha parametrat kohor të përdorimit të saj. Duket shkalla e saj e amortizimit”, thotë inxhinieri Arben Meçe.

Sipas ekspertëve, në vend të kësaj ure duhet një e re.

“Ndërhyrja në këtë urë tashmë për rikonstruksion do të jetë jo e vështirë, por një mision i pamundur. Kjo urë kërkon një rikuperim total, në mënyrë urgjente ndërprerjen e qarkullimit të makinave të rënda, çka do të thotë është e pamundur, sepse është një arter që punojnë makinat e rënda. Në momentin kur këto janë projektuar, nuk janë projektuar me këto ngarkesa që qarkullojnë tani, nuk konceptohej në atë periudhë kalimi i mjeteve 60 ton me ngarkesë. Sot ndodhemi në parametra të tjerë të kushteve teknike të projektimit dhe të shfrytëzimit të tyre. Duhet një urë e re”, shprehet Meçe per tvKlan.

Para 6 muajsh, Autoriteti Rrugor Shqiptar e listoi këtë urë në një nga 8 urat më të rrezikshme dhe ka projektuar ndërhyrje për të rritur sigurinë./tvKlan/
Shtuar më 24/02/2019, ora 15:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori