UP-ja shpall konkurs per studentet e ri
Albeu.com
Universiteti i Prishtinës (UP) ka publikuar sot konkursin për regjistrimin e studentëve të rinj. Në vitin akademik të studimeve 2010-2011 planifikohet të pranohen 17 362 studentë, prej të cilëve 16 332 studentë të rregullt dhe 1 030 me korrespondencë.
Universiteti do të regjistrojë 413 studentë të rregullt nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Presheva, Medvegja e Bujanoci, si dhe 216 studentë nga minoritetet: turq, boshnjakë, romë, ashkalinj dhe egjiptianë.

Sipas konkursit, të drejtë pranimi në Universitetin e Prishtinës kanë të gjithë kandidatët të cilët e kanë përfunduar me sukses shkollën e mesme në Kosovë dhe e kanë diplomën për shkollimin e kryer.

Në Universitet mund të pranohen edhe studentë nga shtetet e tjera, në bazë të kuotave të përcaktuara nga Ministria e Arsimit.

Kandidatët jokosovarë dhe minoritarë kanë të drejtë të konkurrojnë dhe të pranohen vetëm në kuotat e parapara për ta.

Kandidatë jokosovarë konsiderohen ata kandidatë që e kanë mbaruar shkollimin e mesëm jashtë Kosovës dhe me rastin e paraqitjes në konkurs, duhet t'i kenë të nostrifikuara dokumentet e shkollimit.

Nostrifikimi (njohja) e diplomave bëhet në Ministrinë e Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë.

Kandidatët që refuzohen mund t'i paraqesin ankesë Këshillit të Fakultetit, të njëjtën ditë kur janë njoftuar për rezultatet e provimit pranues. Pas këtij afati, ankesat nuk do të pranohen.
Shtuar më 16/07/2010, ora 19:41
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori