UNMIK-u merr rekomandimet për zgjedhjet
Albeu.com
Ekipi Negociator i Kosovës i ka rekomanduar UNMIK-ut dhe OSBE-së që zgjedhjet vendore dhe ato të përgjithshme në Kosovë të mbahen në javën e tretë të muajit nëntor.Por udhëheqësit e forcave kryesore politike kanë bërë disa propozime që do t'i dallonin zgjedhjet e ardhshme nga to që janë mbajtur që nga viti 1999, kur Kosova u vu nën administrimin ndërkombëtar.

Ata kanë kërkuar që në zgjedhjet e reja të aplikohet votimi me lista të hapura dhe që minimumi i votave të nevojshme për të siguruar hyrjen në parlament, të rritet nga 1, në 5 përqind.

Ky minimum, apo prag zgjedhor, nuk vlen për partitë e minoriteteve.

Përfaqësuesit politikë të pakicave kanë vende të rezervuara në institucione, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve.

Reagime

Propozimi i Ekipit Negociator ka ngjallur reagime në skenën e politike kosovare.

Kryetari i Partisë Liberale të Kosovës, Gjergj Dedaj thotë se ngritja e pragut zgjedhor, dëmton demokracinë.

"Pragu prej 5 përqind është shumë i lartë dhe i papranueshëm," tha ai.

Kryetari i Parisë së Drejtësisë, Sylejman Çerkezi tha se ky propozim përbënte "shpërputhje me realititetin" në Kosovë.

Por minimumi i propozuar nuk ka për t'i penguar disa forca politike që të konkurojnë në zgjedhje.

Ibrahim Makolli, nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, thotë se partia e tij, edhe pse është formuar së fundmi, nuk i frikësohej pragut të ri zgjedhor.

"Aleanca Kosova e Re është deklaruar se pavarësisht cili do të jetë pragu zgjedhor, është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.

Pritet vendimi

Zëdhënësi i Ekipit Negociator të Kosovës, Skender Hyseni nuk i ka komentuar reagimet për ngritjen e pragut zgjedhor.

Vendimi, tha ai, ishte marrë "nga partitë që e dominojnë skenën politike në Kosovë".

Ndër rekomandimet etjera që Ekipi Negociator i Kosovës ka bërë lidhur me zgjedhjet është që mandati i qeverive lokale të jetë 2 vjet, ai i institucioneve qëndrore, 4 ndërsa mandati i presidentit të jetë 5 vjet.

Vendimi për mbajtjen këtë vit të dy palë zgjedhjeve dhe përgatitjen e kuadrit ligjor për organizimin e tyre pritet ta marrë në ditët e ardhshme shefi i UNMIK-ut, Joachim Reucker.

Udhëheqësit kosovarë nuk kanë përjashtuar mundësinë që zgjedhjet të shtyhen për disa javë, në qoftë se procesi zgjedhor do të ndërhyjë në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës.
Shtuar më 16/08/2007, ora 12:01
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori