Universiteti, si do hiqen konkurset
Albeu.com
Kryetar i grupit për hartimin e platformës së arsimit, brenda KOP, Ylli Pango shpjegon skemat e mundshme të pranimeve të sivjetshme për në shkollat e larta shqiptare. “Ndoshta nuk do të ketë konkurs, por do të ketë konkurim”, thotë një nga kandidatët e postit të Ministrit të ardhshëm të Arsimit.Pak e mjegullt kjo, për sa kohë “që është një detaj teknik mbi të cilin ende bisedohet”. Por të jeni të qartë në një pikë: universitetet publike tashmë do të shtrenjtohen. Këtë Pango e pohon me bindje.
Cilat ishin vendimet që u morën në mbledhjen për arsimin që zhvilloi Komiteti i Orientimit të Politikave, tri ditë më parë?
Nuk u morën vendime. Në mbledhje, ku morën pjesë specialistë të vjetër të arsimit, anëtarë të KOP-it, dekanë, ish-rektorë, njerëz që kanë pasur funksione të larta në arsim dhe në qeverisjen e parë të PD-së, u dhanë shumë sugjerime. U fol për probleme të mëdha të arsimit, si liberalizimi i shkollës së lartë, rritja e GDP-së për arsimin, që është në programin e PD-së, rritja e rrogave të arsimtarëve, u fol për decentralizimin në arsim, dhe për të gjitha këto u dhanë sugjerime. U vendos që shumë shpejt grupi të rimblidhet dhe të përcaktojë prioritetet e qeverisjes, në fushën e arsimit. Kjo është arsyeja pse ditën e hënë ose të martë, ne do të takohemi përsëri për të mbledhur të gjitha idetë, sugjerimet, mbasi të gjithë njerëzit që morën pjesë në mbledhje do të zbërthejnë platformën, që është paraqitur prej muajsh në publik (platforma e KOP për arsimin). Ajo që do të bëjmë është zbërthimi i mëtejshëm i kësaj platforme dhe përgatitja për 100 ditët e para të qeverisjes, plus prioritetet e qeverisë në fushën e arsimit. Këto janë detyrat e mbledhjes që u drejtua nga kryetari i PD-së, dhe shumë shpejt kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.
Më konkretisht, cilat ishin sugjerimet që u hodhën mbi liberalizimin e universiteteve?
Ne jemi të bindur që këtë premtim, i cili është një nga premtimet më të mira të Partisë Demokratike, ta realizojmë. Ka disa baza, sugjerime, që e mbështesim liberalizimin, ndër të cilat : e para, mund të thuhet me bindje që ne i kemi kapacitetet fizike, intelektuale dhe akademike për të përballuar këtë detyrë dhe për ta realizuar këtë premtim. Fjala vjen, kapacitetet fizike ekzistuese mund të shfrytëzohen si kudo në botë, me dy turne, deri vonë natën. Në Universitetin e Bostonit, ku unë kam studiuar, mësimi vazhdonte deri në 12 të natës. Së dyti, ka kapacitete të lira në universitetet që nuk i kanë plotësuar kuotat. Së treti, çdo vit aplikojnë për t’u punësuar si pedagogë,djem e vajza që janë diplomuar në universitetet jashtë vendit. Në fakultetin që kam drejtuar deri tani, kam pasur 45 kandidatura për pedagogë në departamentin e Shkencave Politike, nga të cilat kisha mundësi të pranoja vetëm gjashtë, pasi kaq ishin fondet. Ndërkohë, nëse realizohet edhe autonomia financiare, do të thotë që paratë e mbledhura do të përdoren për të shpërblyer pedagogët, për më shumë investime, për më shumë pajisje. Së treti, një pjesë e mirë e të rinjve shqiptarë nuk janë të përqëndruar thjesht tek shkollat e larta, por tek disa shkolla të larta. Vitet e fundit janë kërkuar kryesisht mjekësia, juridiku, shkencat sociale, ekonomiku. Ja ku e kemi njërën prej tyre të realizuar, fakultetin e Ekonomisë. Fakulteti i Histori dhe Filologjisë gjithashtu i ka hapur dyert për të gjithë. Dekani i tij ka bërë një propozim, sipas të cilit të interesuarit me mesatare note sipër shtatës mund të vazhdojnë studimet me kohë të pjesshme dhe ata me mesatare më të vogël, mund të vazhdojnë studimet me kohë të pjesshme. Këti ide ose sugjerime janë pjesë e realizimit të premtimit që kemi bërë. Duke bërë liberalizimin, ne kapim edhe treguesit sasiorë që konsistojnë në faktin: të kemi sa më shumë studentë për 1 000 banorë. Tregues që ne e kemi rreth 10-11, kurse vendet e OECD e kanë rreth 40.
Ju do të thoni: po cilësia? Ajo është padyshim një parametër shumë domethënës. Nëse ne rrisim rrogat, padyshim që kemi të drejtë kërkojmë rritjen e cilësisë dhe për t’u integruar, më pastaj në rrjetin europian të universiteteve.
“Liberalizim i universiteteve” është një koncept shumë i gjerë. ǒdo të thotë ai për ju? Dhe nëse si kritere pranimi për në shkollat e larta vendosen nota mesatare, testime të pjesshme, etj., a është ky me të vërtetë liberalizim?
Medias si gjithmonë i interesojnë detajet teknike. Këto për të cilat ju po më pyesni janë të gjitha detaje teknike, dhe asnjeri prej tyre nuk përjashtohet. Nëse realizojmë hyrjen e të gjithë të rinjve që mbarojnë shkollat e mesme në universitet, atëherë ne e kemi realizuar liberalizimin. Së pari, nëpërmjet shkollimit të lartë në masë të gjerë. Nëse do të synojmë që degët e kërkuara t’i kemi mbi bazën e një konkurence… padyshim që nuk mund të futen të gjithë të rinjtë shqiptarë në Juridik. Nuk ka kuptim, në asnjë vend të botës nuk ndiqet vetëm Juridiku apo vetëm Mjekësia. Përderisa disa degë janë më të zgjedhura, për to mund të ketë konkurim. Ndofta jo konkurs, por konkurim. Mund të ketë kritere, mund të shihet mesatarja, mund të bëhet ndonjë lloj testimi, të gjitha këto janë disa detaje teknike, të cilat janë për t’u diskutuar. Për këto do të mblidhemi në takimet e ardhshme. Rëndësi ka që të gjithë ta kenë derën e hapur për të hyrë në shkollë të lartë.
Nëse disa degë janë shumë të kërkuara, padyshim që do të synohet zgjerimi i kapaciteteve të tyre. Përderisa Dhori Kule ka arritur të ketë një numër prej 6 000 studentësh në fakultetin Ekonomik, përderisa unë nga 120 studentë në 1992, sot kam 1 500 në Fakultetin e Shkencave Sociale, por kështu ka pasur zgjerim edhe në Fakultetin Juridik, tregon se etja për degët e kërkuara ka shkuar drejt zgjerimit të kapaciteteve dhe do të shkojë drejt kësaj. Ky është liberalizimi dhe unë nuk e kuptoj për se u krijon konfuzion disa njerëzve.
Gjithsesi konsulenca me specialistë të arsimit për të thithur dhe diskutuar idetë do të shërbejë për të vendosur detajet teknike të liberalizimit. Asnjë prej këtyre të fundit ende nuk është vendosur. E theksoj, nuk është thënë e vendosur realizimi i asnjërit prej tyre.
Dhe sa kohë do të zgjasë kjo faza e sugjerimit dhe diskutimit të ideve?
Kjo do të zgjasë aq kohë sa duhet për fillimin e qeverisjes së re. Në momentin që do të fillojë qeverisja e Partisë Demokratike, gjë që ne shpresojmë të behet brenda muajit gusht, ne do të jemi gati. Ne do të punojmë shpejt dhe mirë.
Liberalizimi, a do të sjellë rritje të tarifave për t’u shkolluar në universitet?
Sigurisht që do të ketë një politikë të re të tarifave. Padyshim që ato do të rriten, por ende nuk është vendosur se sa. Theksoj se do të ketë tarifa të diferencuara, sipas degëve. Kur degët janë të kërkuara, atëherë edhe tarifat për t’u shkolluar në to, do të jenë më të larta sesa në degët më pak të kërkuara.


Intervistoi: Elda Spaho


Pango: GDP-ja për arsimin do të shkojë në 4%, nga 2.7-2.8 që ka qenë gjatë qeverisjes së PS-së
“Do të rriten pagat e arsimtarëve ”
Çfarë sugjerimesh u dhanë në mbledhjen më të fundit të KOP-it për pagat e arsimtarëve?
U hodh ideja që të realizohet sa më shpejt ajo që është premtuar: rritja e peshës së GDP-së, për arsimin, fillimisht rreth 4%, nga 2.7-2.8 që ka qenë gjatë qeverisjes së PS-së. Më vonë ky katërpërqindësh synohet të rritet. Ky është një synim që i takon gjithë qeverisë sepse kërkon mbështetjen e disa ministrive. Këtë ide e hodhi kryeministri i qeverisë, e ka hedhur edhe KOP-i në platformën e Partisë Demokratike.
Brenda kësaj rritjeje të GDP-së për arsimin, çfarë përfitojnë arsimtarët tek rrogat e tyre?
Rrogat e tyre janë gjithashtu një pjesë e programit të PD-së. Pra përfitimi do të jetë në paga, në investime, në blerje pajisjesh, në kapacitetet laboratorike, etj.
Elda Spaho, Shekulli
Shtuar më 31/07/2005, ora 18:22
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori