Universiteti i Tiranës i jep titullin "Doctor Honoris Causa" biznesmenit Ahmet Çalık
Pëlqej
Në një ceremoni të veçantë, Universiteti i Tiranës i ka akorduar Presidentit të Çalık Holding, z. Ahmet Çalık titullin “Doctor Honoris Causa”.

Rektori i këtij universiteti, Prof. Dr. Dhori Kule i ka dorëzuar z. Çalık Diplomën “Doctor Honoris Causa”, me motivacionin “Për kontribut të veçantë dhe këmbëngulje të pashoqe në zhvillimin e ekonomisë shqiptare, si dhe për vlerësimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të universiteteve në Shqipëri”.

Pjesëmarrës në këtë ceremoni kanë qenë anëtarë të Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës, Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, znj. Lindita Nikolla, akademikë shqiptarë e të huaj, Ambasadori i Republikës Turke në Shqipëri, z. Hidayet Bayraktar, Drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom dhe Eagle Mobile, Dr. Erkan Tabak, Drejtori i Përgjithshëm i BKT, Dr. Seyhan Pencapligil, si dhe gazetarë e njerëz të biznesit.

Gjatë recensës së tij për dhënien e titullit “Doctor Honoris Causa”, Prof. Assoc. Dr. Ervin Demo u shpreh se: “Dhënia e këtij titulli nga Universiteti i Tiranës për z. Ahmet Çalık është një rast i mirë për të evidentuar energjitë dhe gjenialitetin e z. Çalık për zhvillimin dhe zgjerimin e biznesit, duke kontribuar kështu në progresin jo vetëm të vendit të tij (Republikës së Turqisë), por edhe të vendeve të tjera, ku investimet e kompanisë së tij janë prezente”.

Ndërkohë, Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Dr. Sulo Hadëri, duke vlerësuar kontributin e investimeve të z. Çalık ndër vite, si dhe përgjegjësinë e lartë sociale të kompanive të tij, tha se është nder dhe kënaqësi e veçantë që listës së personaliteteve me titullin “Doctor Honoris Causa” t’i bashkohet edhe z. Ahmet Calik, për kontribute të veçanta e domethënëse në fushën e biznesit në Shqipëri e më gjerë.

Z. Çalık nga ana e tij shprehu kënaqësinë dhe mirënjohjen për vlerësimin e bërë nga Universiteti i Tiranës dhe tha se: “Ndjehem shumë i vlerësuar dhe krenar për këtë titull që më jepet. Ne si Çalık Holding, me investimet që kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë, ecim me parimin: ‘Të sjellim përfitime për shoqërinë, duke krijuar vlera në të gjitha vendet ku operojmë’. Në këtë drejtim, kompania jonë po ndërmerr projekte të ndryshme të përgjegjësisë sociale”.

Falë meritave të tij në zhvillimin e biznesit dhe kontributit shumë të vlerësuar social, z. Ahmet Çalık është dekoruar me medalje e tituj nderi nga institucione e vende të ndryshme të botës, nga Italia në Japoni.
Shtuar më 03/09/2014, ora 16:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori