Universiteti i Tetoves, i ndalohet hyrja themeluesit
Albeu.com
Themeluesi dhe ish-rektori i Universitetit të Tetovës, Fadil Sulejmani, bëri të ditur të martën se i ishte ndaluar hyrja në objektet e Universitetit Shtetëror të Tetovës nga ana e të punësuarve në sigurimin e objektit.
Ai më tej shtoi se rojet i kishin thënë se urdhri për ndalesën e hyrjes së tij në USHT kishte ardhur nga rektori aktual, Agron Reka, duke e akuzuar këtë të fundit se nuk ka guxim që vetë ta bëjë këtë, por përmes rojeve. “Sot kur kam ardhur të hyj në ndërtesën e Universitetit, rroja më ka ndaluar që të futem brenda duke më thënë se kanë urdhër të drejtpërdrejtë prej rektorit Agron Reka. Kjo më ka habitur mjaft, meqë këta njerëz nuk kanë zemër që këto punë vet t’i bëjnë, por mundohen nëpërmjet
rojeve, këtyre djelmoshave, të cilët i kanë kërcënuar me bukën e gojës, që të më ndalojnë që të futem brenda”, deklaroi ish rektori Sulejmani. Arsye për këtë, sipas ish rektorit Fadil Sulejmani, është themelimi i Këshillit të pavarur për ndryshime jopolitike në USHT, që siç shprehet ai, ka për qëllim largimin e politikës nga ky institucion i lartë arsimor dhe formimin e organeve të reja drejtuese të pavarura nga politika, partitë dhe qeveria. Themeluesi dhe rektori i parë i Universitetit
Shtetëror të Tetovës, Fadil Sulejmani, shprehet i shqetësuar nga kjo sjellje e organeve udhëheqëse të USHT-së dhe të njëjtën e quan më të egër se ajo e pushtetit të vitit 1995. “Jam i shqetësuar sepse atë që nuk arritën ta bëjnë forcat speciale policore në themelimin e UT-së, e bëjnë sot përmes shqiptarëve. Unë atë kohë kam kaluar kordonët e policisë duke rrezikuar edhe jetën, ndërsa sot nuk arrij ti kalojë dy rroje shqiptare”, deklaroi Fadil Sulejmani, i cili më tej shtoi se shpreh keqardhje për këto veprime ndaj tij.
Rektori aktual i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Agron Reka, nuk komentoi aspak akuzat e Sulejmanit.
Shtuar më 24/02/2010, ora 02:12
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori