Universiteti Bedër i akordon H. Selim Muçës titullin "Doctor Honoris Causa"

Universiteti Bedër zhvilloi ceremoninë e dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa” për z. H. Selim MUÇA, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë përgjatë viteve 2004 – 2014, sot Kryetar Nderi i KMSH-së.

Ky aktivitet mblodhi sëbashku përfaqësues të komuniteteve fetare nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, përfaqësues të trupit diplomatik me seli në Tiranë, përfaqësues të shumtë të medias, si dhe akademikë dhe personalitete të ndryshëm të kulturës dhe artit shqiptar.

Në fjalën e tij përshëndetëse Rektori i Universitetit Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, vlerësoi lart figurën e Kryetarit të Nderit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, për vlerat dhe kontributin e tij në promovimin e besimit, harmonisë dhe tolerancës ndërfetare në vendin tonë. Po ashtu, ai nuk la pa përmendur kontributin e z. Muça në themelimin e Universitetit Bedër.

“Ishin vizioni, objektivat dhe puna këmbëngulëse e tij që u arrit në vitin 2011, hapja e këtij universiteti, në përbërje të të cilit është edhe Departamenti i Shkencave Islame. Duke bërë të mundur arsimimin e plotë brenda Shqipërisë, të të gjithë të rinjve që duan të formohen në fushën e teologjisë Islame. Jam i bindur se ky kontribut është dhe do të vazhdojë të mbetet pjesë e historisë së këtij institucioni”- tha ai.

Ndërsa Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Skender Bruçaj, gjatë fjalës së tij përshëndetëse e vuri theksin mbi bashkëpunimin ndër vite të bashkësive islame në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Sipas tij, fryti i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet këtyre institucioneve, po e zhvillon gjithmonë e më tej përfshirjen e besimit islam në edukim, kulturë e në fusha të gjera të shoqërisë. Në këtë aspekt, ai e vlerësoi z. Muça si një misionar, që duhet marrë shembull në kontributin e tij.

“Për mua është nder të pasoj drejtimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë pas dy personaliteteve të shquara të besimit islam si, Hafiz Sabri Koçi dhe H. Selim Muça”- përfundoi ai.

Në respekt të figurës së Kryetarit të Nderit të Komunitetit Mysliman, foli gjithashtu edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve H. Dede Edmond Brahimaj, si dhe kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës H. Naim ef. Tërnava. Ata ndanë me të pranishmit kujtime të vyera të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, që përfaqësojnë dhe Komunitetit Mysliman nën drejtimin e H. Selim Muçës.

Më tej, Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi lexoi para të pranishmëve recensën akademike të titullit “Doctor Honoris Cusa”.

Në fund të ceremonisë Prof. Dr. Ferdinand Gjana, i dorëzoi Kryetarit të Nderit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Haxhi Selim Muça, çmimin “Doctor Honoris Cusa” me motivacionin për kontribut të shquar në ngritjen e vlerave të besimit dhe të forcimit të harmonisë dhe bashkëjetesës mes besimeve të ndryshme në Shqipëri.
Shtuar më 16/06/2016, ora 16:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori