Universitetet, raundi i dytë i regjistrimeve pas 7 tetorit
Pëlqej
Ata që kanë rezultuar fitues në fazën e dytë të studimeve, duke iu ndryshuar preferenca në një më lartë apo kanë arritur të fitojnë një preferencë nëse në fazën e parë nuk ishin shpallur fitues, do mund ta bëjnë regjistrimin vetëm pas datës 7 tetor.

Siç shkruan “Balkanweb”, kreu i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj sqaron se nuk ka më aplikim on-line për ata të cilëve u janë ndryshuar preferencat, por do mund të shkojnë në sekretari pas nisjes së vitit akademik që të prezantohen personalisht, pasi emrat e tyre u janë dërguar fakulteteve përkatëse.

"Për studentët fitues të raundit të dytë që u kanë ndryshuar preferencat, pra kanë fituar një preferencë më të lartë, nuk ka më aplikim on-line. Emrat e tyre me preferencat e reja që ata kanë fituar u janë dërguar të gjitha universiteteve përkatëse. Ata duhet të bëjnë verifikimin pasi të nisë mësimi javën që vjen. Gjatë javës së parë të mësimit, kandidatët fitues duhet të prezantohen fizikisht në sekretaritë mësimore dhe të dorëzojnë dokumentet e duhura. Si dokument identifikimi, në dosje mbahet vetëm fotokopja, dy fotografi, si dhe mandat-arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1600 lekësh paguar në zyrat e Postës Shqiptare", - sqaron Harizaj.

Sipas tij, ky regjistrim do të zbardhë dhe sa vende do mbesin bosh, pasi nëse studentët nuk bëjnë regjistrimin pranë sekretarive, atëherë kandidati nuk regjistrohet zyrtarisht në universitet. Sipas Harizajt, nëse një student gjatë javës së parë të mësimit nuk ndjek këto hapa, ai mbetet i paregjistruar zyrtarisht në degën që ka fituar. Vetëm pas javës së parë të mësimit do mund të bëhet bilanci i vendeve të mbetura bosh dhe më pas të procedohet me publikimin e Formularit A3.
Shtuar më 03/10/2013, ora 09:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori