Universitetet, nesër shpallen 19 mijë fituesit përfundimtarë
Pëlqej
Nesër, Ministria e Arsimit do të pub likojë listën përfundimtare të fituesve në universitetet publike. Në këtë listë, veç maturantëve që kanë qenë fitues në listën e mëparshme, kanë shansin që ta gjejnë emrin edhe ata maturantë që nuk ishin shpallur fitues në asnjë prej 10 preferencave që kishin listuar në Formularin A2. Por sipas zëvendësministres së Arsimit, Nora Malaj, lëvizje më të madhe do të ketë në nivelin e preferencave.

Ndërsa ata maturantë që kanë qenë jashtë listës në fazën e parë, edhe në këtë fazë përfundimtare ka shumë pak shanse që të fitojnë. "Ata që kanë qenë me diferencë të vogël pikësh me fituesin e fundit, do kenë më shumë mundësi ta gjejnë veten në listë, por degët më të preferuara do kenë shumë pak lëvizje. Në universitetet e rretheve do ketë më shumë ndryshime", tha Malaj për "Gazeta Shqiptare".

Sipas saj, kandidatët që janë shpallur fitues në listën paraprake me këtë Maturë Shtetërore, kanë pasur cilësi më të mirë se maturantët e vitit të shkuar. Kjo gjë duket edhe te diferenca e pikëve të fituesit të fundit të këtij viti me vitin e shkuar, që ishte me gati 200 pikë.

FITUESIT

Në listat përfundimtare të fituesve do të jenë të gjithë kandidatët që kanë grumbulluar pikë mjaftueshëm të fitojnë një prej preferencave të listuara në Formularin A2. Në këtë listë do të përfshihen edhe kandidatët që në listën e parë kanë fituar preferencë të parë, apo ata që zgjodhën të ndërprisnin garën duke mos konkurruar për një preferencë më të lartë. Po ashtu, në listën që do të publikohet ditën e hënë, do të jenë kandidatët që kanë grumbulluar pikë mjaftueshëm për të fituar një preferencë më të lartë, si dhe ata kandidatë që kanë arritur të futen në listën e fituesve, ndërkohë që në listën e mëparshme nuk figuronin fitues, për shkak të kuotave të paplotësuara.

Por sipas zëvendësministres së Arsimit, Nora Malaj, numri i kuotave të mbetura bosh nuk është shumë i madh, pra maturantët që kanë qenë jashtë listës së parë, nuk duhet të kenë shumë pritshmëri që të jenë në listën e fituesve. Lëvizjet më të shumta, sipas saj pritet të jenë brenda preferencave.

Pra ata maturantë që ishin shpallur fitues në një preferencë më të ulët dhe kanë vijuar garën, në këtë fazë përfundimtare pritet të shpallen fitues në një preferencë më të lartë. Ndërkohë që, ata kandidatë që në fazën e mëparshme kishin fituar preferencë të parë dhe në këtë fazë do të shpallen fitues përfundimtarë në atë degë, po ashtu edhe ata që nuk kanë vijuar garën, do rishpallen fitues në atë preferencë që kanë qenë.

"Të hënën dalin fituesit përfundimtarë në universitetet publike. Ajo që dua të theksoj është se, në këtë Maturë Shtetërore pikët e fituesit të fundit, në krahasim me vitin e shkuar, kishin një diferencë me gati 200 pikë, çka tregon për nivelin e lartë të kandidatëve. Ndërkohë, për sa u përket kuotave të mbetura bosh dhe sa do jetë niveli që pritet të fitojnë, kjo duhet thënë se është e vogël. Në degët më të preferuara, probabiliteti i lëvizjes së kandidatëve është i vogël, sepse kërkesat kanë qenë të shumta. Degët si mjekësi, farmaci, stomatologji, infermieri nuk pritet të kenë lëvizje të mëdha. Mund të ketë lëvizje te inxhinieritë, ajo e Mjedisit, si dhe te infermieritë në universitetet rajonale. Lëvizja më e madhe do jetë në nivel preferencash, pra ata që kanë fituar preferenca më të ulëta, në listën paraprake në këtë listë përfundimtare do kenë grumbulluar mjaftueshëm pikë për të shkuar në një preferencë më të lartë", sqaroi Malaj.

Ndërsa gara për në universitet, sipas zv.ministres do mbyllet me Formularin A3, ku në këtë formular do shpërndahen kuotat e mbetura të paplotësuara nga faza përfundimtare e regjistrimit.

REGJISTRIMI PËRFUNDIMTAR

MAS ka përcaktuar se fituesit përfundimtarë në universitetet publike do të shpallen në datën 29 shtator. Kandidatët që do të jenë në listën përfundimtare, regjistrimin do ta bëjnë në sekretaritë mësimore të fakulteteve ku janë shpallur fitues, nga data 1 tetor deri në datën 7 tetor, me dokumentet përkatëse.

"Sekretaritë mësimore të fakulteteve, nga data 1 tetor 2014 deri më 7 tetor 2014, prej orës 08:00 deri në orën 18:00, të pranojnë dokumentacionin plotësues për të gjithë kandidatët fitues. Kandidatët dorëzojnë personalisht dokumentacionin plotësues të mëposhtëm: Dokumentin e identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja e një prej dokumenteve të identifikimit, e panoterizuar; 2 fotografi personale; Mandatarkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.600 lekësh, paguar pranë zyrave të Postës Shqiptare për llogari të universitetit përkatës", përcaktohet në udhëzim. Vetëm pasi të bëjnë regjistrimin në sekretaritë mësimore, ata do të konsiderohen të regjistruar përfundimisht. Nëse nuk regjistrohen brenda këtyre afateve, ata humbasin të drejtën e studimit. Këta kandidatë të cilët regjistrohen përfundimisht në sekretari mësimore, nuk kanë të drejtë të aplikojnë në raundin pasardhës, ku parashikohet dhe aplikimi me Formularin A3.

DOKUMENTET QË DUHEN PËR REGJISTRIMIN PËRFUNDIMTAR

Fituesit përfundimtarë do të shpallen brenda datës 29 shtator 2014

Procedurat e regjistrimit me dokumentacion të kandidatëve pranë sekretarive mësimore ku janë shpallur fitues:

Sekretaritë mësimore të fakulteteve, nga data 1 tetor 2014 deri më 7 tetor 2014, prej orës 08:00 deri në orën 18:00, të pranojnë dokumentacionin plotësues për të gjithë kandidatët fitues.

Kandidatët dorëzojnë personalisht dokumentacionin plotësues të mëposhtëm:

a) Dokumentin e identifikimit (kartë identiteti ose
pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja e një
prej dokumenteve të identifikimit (e panoterizuar);
b) 2 fotografi personale;
c) Mandat-arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.600 lekësh, paguar pranë zyrave të Postës Shqiptare, për llogari të universitetit përkatës. /albeu.com/
Shtuar më 28/09/2014, ora 09:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori