Universitetet e mbyllura, MAS: Ja ku të drejtohen studentët
Pëlqej
Mbyllja e 18 Institucioneve të Arsimit të Lartë privat ka prekur plot 5820 studentë, të cilët duhet të bëjnë transferimin në universitete të tjera. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, universitetet private të cilave iu hoq licenca, kanë afat edhe një javë për të plotësuar dosjet e studentëve. Ndërkohë që, MAS ka publikuar një listë me emrat e personave për çdo institucion privat të arsimit të lartë që i është hequr licenca, ku studentët mund të drejtohen.

Ministria e Arsimit sqaron se, çdo student i cili ka probleme, pyetje apo paqartësi, duhet t'i drejtohet personit përkatës, emrat e të cilëve i gjeni në tabelën bashkangjitur shkrimit, si dhe adresat elektronike të tyre.

"Të gjithë studentët e Institucioneve të Arsimit të Lartë që iu është hequr licenca, për çdo pyetje apo paqartësi lidhur me procesin e transferimeve dhe zbatimin e Udhëzimit nr. 25, datë 11.08.2014, 'Për procedurat që do të ndiqen për organizimin e procesit të transferimit të studentëve nga Institucionet e Arsimit të Lartë, të cilëve iu është hequr licenca', mund t'u drejtohen me e-mail pikave të kontaktit respektive", thuhet në njoftimin e MAS.

DOKUMENTET dhe AFATET

Duke iu referuar VKM-së, Institucionet e Arsimit të Lartë që iu është hequr licenca kanë detyrim të mbyllin të gjitha detyrimet lidhur me veprimtarinë mësimore-shkencore për vitin akademik 2013-2014, të plotësojnë dosjet e studentëve që janë në vijim të studimeve deri në fund të muajit gusht, afati i fundit data 1 shtator dhe, nëse ka studentë që nuk kanë kërkuar të marrin dosjet, universitetet private e kanë detyrim që ato t'i dërgojnë në Ministri të Arsimit deri në datën 10 shtator.

Plotësimi i dosjeve për studentët do të kryhet pa asnjë detyrim financiar nga ana e studentëve. Duke qenë se ka mbetur vetëm një javë kohë nga plotësimi i këtij detyrimi, MAS ka publikuar listën dhe adresat e postës elektronike të personave të kontaktit në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, për çdo Institucion privat të Arsimit të Lartë që i është hequr licenca, në mënyrë që të mbështesin studentët për plotësimin e dosjeve dhe kryerjen e transferimit. /albeu.com/
Shtuar më 24/08/2014, ora 10:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori