Unioni i Gjyqtarëve dënon vrasjen në Vlorë
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka dënuar aktin kriminal të vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi sot në Vlorë. Në një deklaratë për shtyp UGJSH-ja duke e cilësuar këtë ngjarje si atentat terroristo-mafioz ka theksuar se sulmi ndaj gjyqtarit Konomi është sulmi më i egër, pas disa sulmeve të tjera verbale dhe fizike, që i është bërë ndonjëherë sistemit gjyqësor në Shqipëri.

“Ky sulm, me mënyrën, kohën dhe vendin e ekzekutimit të tij, duke mbjellë një klimë terrori të pashembullt, ka për synim jo vetëm terrorizimin dhe frikësimin e sistemit gjyqësor por, mbi të gjitha goditjen, terrorizimin dhe frikësimin i të gjithë sistemit të drejtësisë, agjencive të zbatimit të ligjit dhe cënimin e sundimit të ligjit në vend” thuhet në deklaratën e UGJSH-së.


UGJSH gjithashtu i bën thirrje organeve të zbatimit të ligjit që në mënyrë urgjente, të tregojnë angazhimin dhe përkushtimin e tyre më të thellë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje tepër të rëndë, për të vënë përpara drejtësisë autorët e këtij krimi monstruoz e me pasoja tepër të rënda për të gjithë jetën social-ekonomike në vend, sigurinë dhe mirëqënien e qytetarëve dhe funksionimin normal të shtetit dhe shoqërisë shqiptare në tërësi.

Gjithashtu, UGJSH-ja u bën thirje organeve kompetente shtetërore të rrisin performancën e tyre në drejtim të mbrojtjes, sigurisë së jetës dhe familjeve të gjyqtarëve si dhe kushteve të punës së gjyqtarëve, të cilët shpesh herë, në mënyrë të padrejtë janë vënë në shënjestër të sulmeve verbale dhe fizike nga subjekteve të ndryshëm të shoqërisë shqiptare.

Shtuar më 09/09/2011, ora 16:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori