UNESCO kundër shembjes së Piramidës
Pëlqej
"Nëse ne i shembim një nga një të gjitha objektet, skulpturat dhe veprat e artit a të arkitekturës që na kujtojnë diktaturën, atëherë me siguri gjithçka që na lidhte me to, e mirë a e ligë, do të zhdukej në harresë. Dhe kostoja e harresës është e shumëfishtë. Edhe periudha ish-komuniste është një epokë si gjithë të tjerat, që ka vendin e saj në histori. E pikërisht për këtë arsye duhet të trajtohen si pjesë e trashëgimisë edhe ndërtimet e kësaj periudhe". Engelbert Ruos, drejtor i Zyrës Rajonale të UNESCO-s në Venecia, ka sjellë këto argumente, duke kundërshtuar me vendosmëri shembjen e Piramidës, objektit arkitekturor të ndërtuar në fund të viteve '80 në qendër të Tiranës, si mazoleum për diktatorin Enver Hoxha dhe i kthyer në vitet e demokracisë si Qendër Ndërkombëtare e Kulturore.

Drejtori i UNESCO-s për Evropën, Engelbert Ruos mbron idenë se Piramida nuk duhet të prishet. Në një prononcim dhënë dje për nje televizion, Ruos ka shkuar më tej në argumentin e tij, duke theksuar se shndërrimi i kësaj ndërtese në parlament duhet të diskutohet gjatë mes specialistëve dhe autoriteteve shtetërore.

Mbi këtë linjë argumentimi me drejtorin e UNESCO-s për mbrojtjen e këtij objekti si një vlerë historike, kanë qenë për ditë me radhë në debatet publike edhe shumë specialistë shqiptarë të trashëgimisë kulturore. Kështu, arkitekti Maks Velo apo studiuesi Artan Lame e quajtën skandaloz vendimin e qeverisë për shembjen e Piramidës dhe ndërtimin në vend të saj të një godinë të re për parlamentin shqiptar.

Sipas tyre, ai nuk është një objekt që i përket diktatorit Hoxha. Përkundrazi, në ditët e sotme ajo është një kujtesë e fortë për të gjithë brezat e ardhshëm mbi atë çka personifikoi diktatura dhe figura e Enver Hoxhës në atë sistem.
Shtuar më 01/11/2010, ora 08:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori