Ulja e papritur e temperaturave, vendim i ri për shkollat
Ndërkohë që temperaturat në vend janë ulur ndjeshëm, Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka dhënë një njoftim të rëndësishëm për institucionet arsimore.

Ministrja thekson se në respekt të udhëzimeve të MSHMS dhe duke marrë parasysh ndryshimin e temperaturave nuk kërkohet në mënyrë absolute mbajtja e dritareve të shkollave hapur.

“Dritaret duhet të mbahen të hapura ose të paktën të ajrosen 5-6 herë gjatë kohës së mësimit”, thekson ajo, duke kërkuar një temperaturë konstante në klase me qëllim mbrojtjen e shëndetit të nxënësve dhe mësuesve.

Postimi i plotë

Njoftim i rëndësishëm!

Shëndeti i nxënësve dhe stafit mësimor është prioritet kryesor i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Prandaj, duke marrë shkas nga temperaturat e ulëta në të gjithë vendin, si dhe shqetësimet e drejta të prindërve, ndjejmë të nevojshme të nënvizojmë se Udhëzuesi për fillimin e vitit shkollor 2020-2021, në respekt të udhëzimeve të MSHMS, duke marrë parasysh edhe ndyshimet e temperaturave sipas stinëve, nuk kërkon në mënyrë absolute mbajtjen hapur gjatë gjithë kohës të dritareve, por lejon edhe ajrosjen e klasave disa herë gjatë ditës. Më saktësisht, në të shprehet qartë se: “DRITARET DUHET TË MBAHEN TË HAPURA OSE TË PAKTËN TË AJROSEN 5-6 HERË GJATË KOHËS SË MËSIMIT”.

Prandaj kërkojmë nga të gjitha Institucionet Arsimore që të kenë në vëmendje zbatimin e këtij udhëzimi, duke u kujdesur maksimalisht edhe për mbajtjen e një temperature konstante në klasë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të nxënësve dhe mësuesve.

Shtuar më 17/01/2021, ora 16:11

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori