Ulese ne OKB ne shkembim te veriut
Albeu.com
Ndarja e Kosovës dhe shkëmbimi i territoreve është ideja kryesore të cilën Serbia, me ndërmjetësim nga komuniteti ndërkombëtar, do të dëshironte të negocionte me Prishtinën pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.Në këtë është punuar dhe lobuar nëpër qarqet ndërkombëtare tani e një kohë të gjatë, shkruan gazeta serbe “Blic”.

Letra kryesore në duart e Beogradit është një ulëse në OKB për Kosovën, e cila pa të nuk mund të bëhet shtet në kuptimin e plotë të fjalës, ka mësuar gazeta serbe “Blic” përmes qarqeve të afërta me ndërmjetësit.

Pikënisja e negociatave është se vetëm marrëveshja mund të çojë në një zgjidhje të qëndrueshme e cila do t’i çonte të dyja vendet në BE. Për momentin, kjo më shumë është një dëshirë e Beogradit sesa një mundësi reale në të cilën ata mund të mbështetën. Momenti i mirë mund të jetë kur GJND-ja ta bëjë publik vendimin e saj. Ekziston edhe një mendim nga shumica e shteteve anëtare të OKB-së se diçka duhet bërë pas marrjes së mendimit të gjykatës. Serbia synon të del me një rezolutë përmes së cilës do të kërkojë negociata të reja në mes të Beogradit dhe Prishtinës rreth statusit.

“Nëse ky plan rezulton i suksesshëm, Beogradi pret që ndërmjetësimi do t’i besohej BE-së”, ka thënë një burim i “Blic”.

Edhe gazeta “Zëri” ka paralajmëruar disa ditë më parë se negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit mund të fillojnë disa muaj pas shpalljes së vendimit të GJND-së. “Zëri” raportoi se pas takimit të fundit të zyrtarëve të lartë të BE-së me liderët e Kosovës, është dërguar një porosi që sugjeron gjetjen e një zgjidhjeje për veriun ndërsa Serbia pritet ta ndryshojë qëndrimin e saj të ashpër ndaj sovranitetit të Kosovës. Mirëpo, sipas burimeve ndërkombëtare të “Zërit”, është thënë se Beogradi ka sugjeruar “shkëmbim territoresh” por “Prishtina nuk mund të hyjë në bisedime për shkëmbim territoresh pa koordinim të ri ndërkombëtar dhe garancë të fortë ndërkombëtare për çdo marrëveshje të mundshme me Beogradin”.

Ish-diplomati amerikan, Gerard Gallucci, që ka punuar si përfaqësues rajonal në OKB për Mitrovicën nga viti 2005 deri më 2008, ditë më parë paraqiti në blogun e tij personal propozimin e tij për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Ai mendon se bisedimet preliminare rreth statusit duhet të fillojnë pas vendimit të GJND-së dhe thotë se “bisedimet ndoshta veçse kanë filluar”.

GJND-ja ka paralajmëruar se vendimi mund të merret më 22 korrik. Mirëpo, dihet se kjo gjykatë i shpall vendimet një muaj më herët që do të thotë se njoftimi nuk do të bëhet në korrik por në shtator. (zeri)
Shtuar më 09/07/2010, ora 12:16
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori