Zelensky paralajmërim të fortë: Bota të përgatitet, Putin mund të përdorë armët bërthamore

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë për CNN se të gjitha vendet e botës duhet të përgatiten, pasi presidenti rus Vladimir Putin mund të përdorë armë taktike bërthamore në luftën e tij kundër Ukrainës.

Zelensky tha se Putini mund të kthehet te përdorimi i armëve bërthamore ose kimike, sepse ai nuk vlerëson jetën e popullit të Ukrainës.

“Jo vetëm unë, e gjithë bota, të gjitha vendet duhet të shqetësohen sepse mundësia e përdorimit të armëve bërthamore dhe kimike mund të jetë i vërtetë. Ata mund ta bëjnë atë, për ta jeta e njerëzve nuk është asgjë. Kjo është arsyeja pse. Ne duhet të mendojmë të mos kemi frikë, por të jemi gati. Ky nuk është një problem vetëm për Ukrainën,  por për të gjithë botën, mendoj”, tha ai.

Zelensky ka qëndruar në Ukrainë gjatë gjithë rrjedhës së luftës 50-ditore me Rusinë, pasi forcat e Ukrainës i kanë rezistuar përpjekjeve të Kremlinit për të kapur Kievin dhe kanë detyruar Rusinë të ripërqendrojë përpjekjet e saj të luftës në rajonet lindore dhe jugore të vendit, ku Ukraina po parashikon një përshkallëzim i konsiderueshëm i luftimeve në ditët në vijim.

Një nga luftanijet më të rëndësishme detare të Rusisë u fundos në Detin e Zi këtë javë, për të cilën Ukraina tha se ishte rezultat i një sulmi raketor, ndërsa Rusia pretendoi se ishte për shkak të një zjarri nga shpërthimi i municioneve.

Në të njëjtën kohë, Rusia po gjuan raketa lundrimi në periferi të Kievit dhe ende ruan aftësinë për të synuar kryeqytetin e Ukrainës me armatim me rreze të gjatë.

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar për mundësinë që Putini, nëse pëson sërish humbje, mund të kthehet në përdorimin e armëve taktike bërthamore në Ukrainë. Drejtori i CIA-s, Bill Burns, tha të enjten se CIA vëzhgon me shumë vëmendje mundësinë, ndërsa theksoi se SHBA nuk ka parë ende asnjë shenjë se Rusia po përgatitet të ndërmarrë një hap të tillë./albeu.com