Rizgjedhja e Erdogan, tregon se Brukseli nuk ka një ndikim gjeopolitik domethënës

Nga Con Coughlin “Daily Telegraph

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Çdo pretendim sipas së cilit Bashkimi Evropian është ende një fuqi e madhe në çështjet botërore, është rrëzuar plotësisht nga rizgjedhja e Recep Tayyip Erdogan si president i Turqisë. Tek e fundit, jo shumë kohë më parë Brukseli po përpiqej ta joshte Turqinë për t’u bërë anëtare e BE-së.

Në fakt, ky vend konsiderohet ende zyrtarisht si një kandidat për anëtarësim, edhe pse Ankaraja vështirë se ka bërë ndonjë përparim në zbatimin e reformave të nevojshme institucionale që nga viti 2004.

Edhe vetë Erdogan shprehet se Turqia e lakmon ende anëtarësimin në BE. Udhëheqësi turk deklaroi në një takim me ambasadorëve të BE-së në kryeqytetin turk vitin e kaluar se anëtarësimi në BE “mbetet prioriteti ynë strategjik”.

Natyrisht, realiteti është se ndërsa Erdogan vazhdon të mbetet në pushtet, Turqia ka pothuajse aq shanse për t’u bashkuar me bllokun evropian sa ka edhe Rusia nën sundimin e Vladimir Putin. Dhe problemi nuk qëndron vetëm tek qasja gjithnjë e më autokratike e Erdoganit gjatë 20 viteve të tij në pushtet, me kufizime drastike të vendosura ndaj parlamentit, gjyqësorit dhe medias.

Por edhe mbështetja e tij ndaj islamit politik, që refuzon plotësisht liritë liberale të përqafuara nga Perëndimi, dhe që e bën një anatemë pikëpamjen e tij. Në fund të fundit, ky është një politikan që e filloi fushatën e tij për rizgjedhje duke përmendur pushtimin osman të Perandorisë Bizantine në vitin 1453.

Në këto kushte, fitorja e ngushtë e Erdogan në zgjedhje, në të cilat ai siguroi pak më shumë se 52 për qind të votave përballë kundërshtarit të tij shekullarist, Kemal Kılıçdaroğlu, do të thotë se ambiciet e Turqisë për të hyrë një ditë në BE do të jenë të paarritshme për të ardhmen e afërt.

Rizgjedhja e Erdogan për një mandat tjetër 5-vjeçar si president, në të cilin ai ka të ngjarë të zgjerojë tendencat e tij autokratike në kurriz të institucioneve demokratike të vendit, përbën sigurisht një sfidë madhore për BE-në.

Kjo është një sfidë që vë seriozisht në pikëpyetje ambiciet e saj për t’u pozicionuar në skenën globale si një superfuqi e fuqisë së butë, e barabartë me SHBA-në dhe Kinën. Por besueshmëria e unionit është vendosur nën një mbikëqyrje të imët lidhur me reagimin e saj jo bindës ndaj krizës në Ukrainë. Ndarje të thella janë shfaqur midis disa fuqive të mëdha, si Gjermania, Franca dhe Italia – që synojnë të adoptojnë një qëndrim më pak konfrontues ndaj Moskës – dhe fuqive në zhvillim të Evropës Lindore si Polonia – të cilat argumentojnë se siguria afatgjatë e kontinentit kërkon që Rusia të pësojë një disfatë gjithëpërfshirëse dhe të qartë në fushën e betejës në Ukrainë.

BE-ja nuk ka më luksin të vazhdojë me qasjen e saj të paqartë ndaj Ankarasë. Në një rast ajo ofron një ryshfet të majmë për të frenuar valën e emigrantëve të paligjshëm që vërshojnë në Evropë.

Ndërsa në një rast tjetër e denoncon Turqinë për lidhjet e saj të ngushta me Rusinë, një aleancë të cilën shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell e pranoi së fundmi se ishte “një arsye për t’u shqetësuar”.

Sigurisht për Erdoganin, marrëdhënia komode që ka aktualisht me Putinin ka qenë një “kamerdare shpëtimi” për ekonominë turke. Kriza ekonomike që po godet Turqinë, me inflacionin që aktualisht shkon mbi 40 për qind, do të ishte dukshëm më e rëndë po të mos ishte për turmat e turistëve rusë që dynden në vend për të shmangur sanksionet e BE-së.

Duke pasur parasysh rekordin e mëhershëm negativ të BE-së në përballje me Erdoganin, pak evropianë do të jenë tani shumë besimplotë se blloku do të arrijë ta bindë Ankaranë që të heqë dorë nga mbështetja e saj për Rusinë, dhe për të krijuar lidhje më të ngushta me Brukselin. /albeu.com


Shtuar 31.05.2023 09:10

Tags: