UCK pranon perfshirjen ne incidentin ne Bllace, reagon BDI-ja
Albeu.com
Një email i arritur në adresën elektronike të portalit Albeu nga sic thuhet, Sektori për Informim i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ka pranuar se UÇK është përfshirë në incidentin në brezin kufitar Kosovë-Maqedoni afër Bllacës.Përveçse ka marrë përsipër armët e sekuestruara më 28 prill. UÇK ka njoftuar nëpërmjet një komunikate se përleshjet me armë me forcat speciale të policisë maqedonase, kanë lënë të vdekur një person nga pala armike dhe një të plagosur lehtë nga pala e saj. Sipas komunikatës veprimtaria e UÇK vijon në gjithë hapësirat e Maqedonisë.

Menjëherë ka reaguar BDI, e cila ka dënuar dhunën si të papranueshme për realizimin e qëllimeve politike dhe është distancuar duke deklaruar se personat e përfshirë në tregtinë me armë nuk kanë kurrfarë lidhje me të. Kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti, ish- përfaqësues politik i UÇK-së ka deklaruar se është në kontakt intensiv me garantuesit e Marrëveshjes së Ohrit, SHBA, BE dhe NATO-n.

Ahmeti sot gjendet në Tiranë ku ka takuar kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha, i cili pas takimit ka deklaruar se paqja, stabiliteti, integriteti i Maqedonisë janë jetike për paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Takimi në Tiranë mes dy politikanëve shqiptarë ndodh pak ditë pasi misionet kryesore diplomatike në Maqedoni vlerësuan nëpërmjet një letre se situata atje ka marrë tone shqetësuese për shkak të deklaratave të disa lidërve politikë për ndarje, konflikt dhe braktisje të Marrëveshjes së Ohrit.

Në deklaratën e kryeministrit Berisha këto shqetësime ishin të dukshme, kur ai inkurajoi faktorin shqiptar në Maqedoni për zbatimin pa ndërprerje të Marrëveshjes së Ohrit.

Nga ana e tij, Ali Ahmeti, i cili ka probleme me kryeministrin Gruevski për shkak të mosmarrëveshjeve për ndryshimin e kushtetutës, ishte shumë i përgjithshëm në komente, duke drejtuar vëmendjen më shumë tek domosdoshmëria e anëtarësimit sa më të shpejtë të Maqedonisë në NATO.

Ndërkohë, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi nesër pritet të takohet me kryeministrin shqiptar Sali Berisha.
Shtuar më 03/05/2010, ora 00:00
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori