UÇK-ja nuk është “shportë e mrekullive”
Albeu.com
Organizata e Veteranëve të Luftës të ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (OVL-UÇK) kërkon nga subjektet politike shqiptare që të mos i keqpërdorin vlerat e luftës për qëllime të fushatës parazgjedhore në Maqedoni.“Partitë shqiptare, UÇK-në e kanë shndërruar në ‘shportë e mrekullive’. Sa herë që bien ngushtë thirren në këtë vlerë dhe plaçkisin diçka. Njëra parti aludon se është trashëgimtare e vlerave të luftës por pa i mbrojtur ato, ndërsa tjetra parti politike sa herë që bie ngushtë thirret në komandantët e UÇK-së, ndërsa sa herë pezmatohet, luftën e quan tradhti kombëtare”, thotë Besim Hoda, zëdhënës i OVL-UÇK-së duke i ftuar edhe njëherë të gjitha partitë që t’i largojnë duart nga zbehja e vlerave të luftës së lavdishme të UÇK-së.
OVL-UÇK-së gjithashtu porosit gjithë ish-ushtarët e UÇK-së, edhe ata që aktualisht janë të angazhuar në partitë politike shqiptare që të reflektojnë bashkim e jo përçarje të shqiptarëve dhe edhe më tej të jenë shtylla të fuqishme për mbrojtjen e vlerave të luftës.
“Ftojmë gjithë ish - ushtarët dhe përkrahësit e luftës që mos të lejojnë të nëpërkëmbet dinjiteti dhe krenaria e shqiptarëve, UÇK. Ata duhet të japin kontribut kudo qofshin, që invalidët, familjet e dëshmorëve dhe ish-ushtarët të ndjehen mirë dhe t’i gëzojnë të gjitha të drejtat që u takojnë”, nënvizoi Hoda, duke sqaruar se rreth kësaj organizate janë duke u tubuar për çdo ditë ish-ushtarë nga vende të ndryshme të Maqedonisë për t’u bërë një bazament i fuqishëm i mbrojtjes së kësaj vlere.
Sipas tij, tani është duke u bërë strukturimi i kësaj organizate në të gjitha qytetet ku ka ish ushtarë të UÇK-së, dhe se do të reagojnë për çdo veprim që do të llogaritet se e dëmton imazhin e kësaj lëvizje çlirimtare.
G. Sulejmani, Lajm
Shtuar më 13/06/2006, ora 20:19
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori