U zbulua identiteti i bjondes së OFL, ministri Lleshaj reagon ashpër
Kur zëdhënësja e OFL-së u paraqit për herë të parë në ekranet shqiptare e maskuar me syze dhe kapele, disa nga mediat në vendin tonë zbuluan identitetin e saj dhe e bënë publik.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar ashpër Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, duke theksuar se punonjësit e këtij operacioni kanë nevojë për një lloj mbrojtje dhe sigurie.

Përgjatë një interviste për emisionin “Kjo Javë” në “News24” Lleshaj ftoi mediat dhe publikun që të përmbahen nga kureshtja për t’u futur në detaje operacionale të punës së Operacionit Forca e Ligjit, shkruan BW.

“Është një çështje që vendoset nga drejtuesit e operacionit dhe ka shumë çështje operacionale për të cilat ministri nuk duhet të merret dhe në fakt nuk preferoj të merrem, aq më tepër me aparencën e një vajze që kryen detyrën e zëdhënëses. Por besoj që duhet të marrim në konsideratë faktin që punonjësit e këtij operacioni kanë nevojë për një lloj mbrojtje.

Nuk po them se mbrohet nga syzet, në përgjithësi kanë nevojë për një lloj mbrojtjeje. Dhe kanë nevojë për qetësinë e nevojshme që ta bëjnë detyrën e tyre pa ndërhyrje nga jashtë, nga kushdo qoftë.

Derisa unë si ministër refuzoj të futem në detaje operacionale do të ftoja jo vetëm median por edhe publikun, të përmbahet nga kureshtja për t’u futur në detaje operacionale të punës së tyre.

Di që mbi këtë operacionin forca e ligjit qëndron një institucion tjetër që mbikëqyr, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Kontrollin në Ministrinë e Brendshme i cili ka për detyrë të kontrollojë respektimin e kritereve ligjorë të këtij institucioni. Pra duhet të dini që gjithë operacioni, është i monitoruar nga afër”, tha Lleshaj.
Shtuar më 15/02/2020, ora 19:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori