U vra nga gjaksit, si shteti shqiptar mori përsipër të mbronte jetën e Marios
Lajmi i vrasjes së Mario Majollarit në Tiranë është pasqyruar edhe nga mediat suedeze.

28-vjeçari kishte aplikuar për azil në Suedi, por kërkesa i ishte refuzuar.

Pesë ditë pasi ishte kthyer në Shqipëri, ai u ekzekutua me armë poshtë pallatit ku banonte në zonën e ish-Kinostudios.

"Ai vazhdimisht thoshte që nëse do ta kapnin, do ta qëllonin”, shprehet Anders Hedqvist, i cili ishte menaxheri i vendqëndrimit të azilit ku rrinte Mario Majollari, gjatë kohës që kërkesa e tij ishte në proces.

Ka qenë Maj i vitit 2014 kur 28-vjeçari shqiptar aplikoi për leje qëndrimi në Suedi, shkruajnë mediat suedeze.

Autoritetet vlerësuan se Mario nuk kishte nevojë për mbrojtje, pavarësisht se 28-vjeçari thoshte vazhdimisht se ishte kërcënuar kur babai i tij u arrestua.

Në Gusht të vitit 2015, Bordi i Migracionit refuzoi kërkesën e tij për azil.

Mario e apeloi këtë vendim duke kërkuar që azili të aprovohej, por kërkesa e tij sërish u refuzua dy ditë përpara Krishtlindjeve të të njëjtit vit.

28-vjeçari bëri kërkesë për gjykim në Gjykatën Supreme të Migracionit, por iu refuzua dhe u kthye në Shqipëri në Pranverën e vitit 2016, sipas shtypit suedez.

“Ai u njoftua kur mori refuzimin për azil. Tha se nuk mund të qëndrojë në Shqipëri dhe duhet të shkojë në një shtet tjetër për të punuar“, shpjegon Anders Hedqvist.

Menaxheri i qendrës së azilit në Suedi ku qëndronte Mario gjatë kohës që shqyrtohej kërkesa e tij, Anders thotë se e kishte ndihmuar 28-vjeçarin të gjente punë të ndryshme dhe mbante kontakte në Facebook me të.

Më pas – tregon ai – përmes një miku të tyre të përbashkët mësoi se Mario ishte vrarë.

Mediat në Suedi janë interesuar në lidhje me vendimin për refuzimin e kërkesës së Mario Majollarit për azil. Sipas informacioneve që disponojnë dhe i kanë bërë publike, Gjykata e Migracionit në Goteborg vendosi të refuzojë kërkesën e 28-vjeçarit sepse dëshmia e tij nuk u konsiderua e besueshme dhe nuk besonin se ekzistonte kërcënim real në Shqipëri për Marion.

Shtypi suedez thotë se vendimi i Gjykatës u bazua edhe mbi informacionin e përcjellë nga Shqipëria, duke bërë që trupa gjyqësore të arrinte në përfundimin se “pavarësisht mangësive aktuale, sistemi gjyqësor në Shqipëri mund të ofrojë mbrojtje për konfliktet e gjakmarrjes”.

Ndërsa zëdhënësja për shtyp e Bordit të Migracionit, Irene Sokoloë thotë se është tragjike ajo që ndodhi në Tiranë. Avokati i Mario Majollarit në Suedi, Maravgi Staifo: “Fatkeqësisht ju nuk e besuat dhe menduat se mund të merrte mbrojtje në Shqipëri.

Kjo është një provë e qartë se Mario kishte të drejtë në pretendimet e tij, por fatkeqësisht ju i refuzuat gjyqin”. Irene Sokoloë: "Jam shumë e pikëlluar për këtë që ndodhi. Është jashtëzakonisht tragjike". /Tv Klan

Shtuar më 12/04/2018, ora 09:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori