U varros Kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova
Albeu.com
Kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova, me nderime ushtarake - shtetërore, u varros sot në Varrezat e Dëshmorëve në lagjen Velania në Prishtinë.Për ta nderuar për herë të fundit kryetarin Ibrahim Rugova, në hollin e Kuvendit të Kosovës, nderime që nga orët e hershme të mëngjesit kanë bërë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve vendore. Kortezhi mortor përshkoi pastaj rrugën nga Kuvendi i Kosovës deri në sallën “1 Tetori”, ku u mbajt ceremonia komemorative e fundit para varrimit. Arkivoli me trupin e pajetë të kryetarit të Kosovës Ibrahim Rugova, i mbuluar me flamurin e Dardanisë, i shoqëruar nga gjashtë roje nderi të armatosura, të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, u nis nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, ku për tri ditë qytetarët kishin bërë homazhe. Kortezhi mortor i shoqëruar nga familjarët, zyrtarët e lartë ndërkombëtarë, dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, parakaloi nëpër Sheshin Skënderbe dhe rrugën Nëna Terezë, deri në sallën “1 Tetori”. Qytetarët e shumtë nëpër trotuare, i bënë nderimet e fundit kryetarit, duke hedhur lule në drejtim të kortezhit mortor dhe duke përcjellë në heshtje arkivolin. Në sallën 1 Tetori trupi i pajetë i kryetarit të Kosovës u prit nga mbi 30 delegacione të shteteve të ndryshme. Përveç tjerëve, të pranishëm ishin: delegacioni i Shteteve të Bashkuara, i Bashkimit Evropian me shefin e diplomacisë Havier Solana, delegacioni i Shqipërisë në krye me kryetarin Alfred Moisiu, i dërguari i OKB-së në bisedimet për statusin Marti Ahtisari, kryeministra, ministra dhe zyrtarë të lartë të vendeve të ndryshme evropiane, përfaqësues politikë të shqiptarëve nga rajoni dhe diaspora, zyrtarë të lartë politikë të Kosovës, të mekanizmave ndërkombëtare në Kosovë etj. Tingujt e himnit kombëtar, pastaj të atij të propozuar nga kryetari Rugova “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë”, dhe një minutë heshtje shënuan fillimin e ceremonisë qëndrore. Në fjalimin e tij shefi i UNMIK-ut Soren Jesen Petersen tha se prania e të gjithë këtyre njerëzve flet për personalitetin e kryetarit. “Kryetari Rugova ia solli ndërmend botës nganjëherë indiferente mjerimin e Kosovës. Sot ajo nuk është më indiferente. Tani bota ka ardhur tek ai për t’i dhënë lamtumirën e ngrohtë” tha Petersen. Ai ishte baba i Kosovës, ishte i bindur në besimin e tij dhe i palëkundur në metodat e tij, tha Petersen. “Në një kohë dhe në një rajon ku shumëkush kthehej nga e kaluara kryetari Rugova ishte gjithmonë i orientuar nga e ardhmja. Ai ia shtroi rrugën Kosovës dhe iu përmbajt asaj në mënyrë të palodhur” tha shefi i UNMIK-ut. Kjo rrugë, tha shefi i UNMIK-ut çon drejtë një Kosove demokratike, shumë etnike, të lirë, të integruar në Evropë dhe në lidhje të forta me Shtetet e Bashkuara. Andaj, tha Petersen, Rugova ka lënë një zbraztirë pas vetes por edhe një vizion. “Është vizioni përmbushjen e të cilit nuk e pritipor realizimi i të cilit do të arrihet përmes unitetit dhe përkushtimit të atyre që do të shkojnë pas hapave të tij. Ky do të jetë përkujtimi i vërtetë për të” tha Petersen. Kryeministri Bajram Kosumi tha se Rugova i dha imazh bashkëkohor lëvizjes patriotike të shekullit XX në Kosovë. “Emri i presidentit Rugova njeriut të bashkimit dhe tolerancës, i njeriut të mirëkuptimit dhe të forcës intelektuale, durimit dhe qëndrueshmërisë është i lidhur pashkëputshëm me pavarësinë e Kosovës të cilën e bëri të njohur kudo në botë” tha Kosumi. Ne, tha kryeministri, do ta shndërrojmë në realitet vizionin e kryetarit të ndjerë. “Vdekja e kryetarit Rugova në periudhën më të rëndësishme për Kosovën shton nevojën për një unitet edhe më të madh të popullit dhe udhëheqjes së tij, për ta rrumbullakësuar procesin e gjatë për liri dhe për krijimin e shtetit modern e demokratik të Kosovës” tha Kosumi. Miku i vjetër i kryetarit të ndjerë, njëkohsisht përfaqësues i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Havier Solana përkujtoi takimet me Rugovën. “Ibrahim Rugova e përkushtoi tërë jetën e tij për mbrojtjen e të drejtave të popullit të Kosovës. Ishte i qëndrueshëm në bindjen e tij por ishte edhe njeri i paqes dhe i përkushtuar në arritjen e objektivave të tij” tha Solana. Vdekja e tij tha Solana është një humbje e madhe.“Sinqerisht, shpresoj që trashëgimia e tij dhe mendimi i tij do të vazhdojë të ekzistojë në Kosovë. Në këtë moment udhëheqësit politik duhet të tregojnë bashkim, përgjegjësi dhe zemërgjerësi. Ka edhe shumë punë për t’u bërë” tha Solana. Po i bëjmë nderime njeriut që lindi në një tokë të sertë dhe kohë të parakohshme, por me punën e tij e zbuti dhe e shndrroi atë në kohë të kohshme që lidhet me emrin e tij, tha nënkryetari i Lidhjes Demokratike Kolë Berisha. “Në këtë janar të zisë kombëtare Kosova humbi njeriun dhe udhëheqësin e guximshëm historik me emrin e të cilit lidhet jo vetëm formimi, zhvillimi profilizim i forcës së parë më të madhe politike, LDK, por edhe kjo pjesë e historisë mbi 16 vjeçare e shqiptarëve të Kosovës dhe më gjerë. Kosova humbi artikuluesin e denjë të kërkesave për liri e pavarësi të Kosovës” tha Berisha. Berisha tha se Kosova humbi njeriun që me veprën e tij ndërroi rrjedhat e historisë. “Kosova sot e humbi udhëheqësin e parë të madh shqiptar i cili diti ta rirreshtojë popullin shqiptar në përgjithësi e atë të Kosovës në veçanti aty ku shekuj më parë e kishte vendin” tha Berisha. Shefi i delegacionit të Shteteve të Bashkuara Alfonso Xhekson, tha se na ka lënë një njeri i përkushtuar ndaj popullit dhe tokës së tij si dhe një mik i madh i Shteteve të Bashkaura.“SHBA janë të zotuara ndaj vizionit të kryetarit Rugova dhe popullit të Kosovës, që Kosova të jetë shtëpi për të gjithë popullin e saj, pjesë e Evropës dhe që do të jetë e sigurt në familjen e kombeve” tha Xhekson. Tani është koha të bashkohemi dhe të përfundojmë punën e kryetarit Rugova, porsiti Xhekson. Në fjalën e tij, kryeparlamentari Nexhat Daci e cilësoi kryetarin e ndjerë, simbol dhe prijës. President i respektuar, Kosova e përlotur është në pikëllim të thellë, por me zemër besimtare që shpirti juaj bashkë me plejadën do të na prijnë në finalen e madhe të pavarësisë në të cilën dinjitetshëm na udhëhoqët ju”, tha Daci. “Pushoni i qetë në parajsën e gjithësisë, sepse në këtë botë tonë kalimtare asnjëherë nuk gjetët kohë për pushim”, tha ai. “Njëherë nga lufta për ekzistencë dhe në dy dekadat e fundit nga puna e strategut politik dhe diplomatik për Kosovën e lirë të dinjitetshme e të pavarur. Kryetar i Kosovës ju e përmbushët ëndrrën tuaj, i bëtë themelet që Kosova të jetë shtet i lirë dhe i pavarur” tha Daci. Kryeparlamentari Nexhat Daci gjithashtu falënderoi bashkësinë ndërkombëtare për ndihmën që po i jep Kosovës. Fjalimin e tij kryeparlamentari e përfundoi duke iu drejtuar kryetarit të ndjerë me frazën: “Zoti Ju bekoftë, ndërsa Kosovën Ju e bekuat me veprën dhe jetën tuaj”. rtk
Shtuar më 26/01/2006, ora 16:12
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori