Hapja e negociatave, mblidhet sot Këshilli i Sigurisë i RMV: Do diskutohet propozimi francez

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski do të mbledhë sot pasdite Këshillin e Sigurisë ku do të shqyrtohet propozimi i modifikuar i presidencës franceze me BE-në për fillimin e negociatave të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.

Në mbledhje krahas anëtarëve të Këshillit të Sigurisë do të marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri për Çështje evropiane, Bojan Mariçiq.

Një ditë më parë, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ka thënë se në propozimin francez, nuk cenohet gjuhën maqedonase, ndërsa kritikat e opozitës maqedonase i quajti vetëm spekulime të pabaza.

Përmes propozimit francez synohet tejkalimi i dallimeve që ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë dhe zhbllokimi i fillimit të bisedimeve për anëtarësim në familjen evropiane ndërkohë që opozita maqedonase vazhdon të jetë skeptike për këtë propozim./albeu.com