U shpall fajtore për shpifje ndaj Veliajt, Tabaku: Pse gjyqtarët vendosën kundër meje
Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila e shpalli fajtore për akuzën e shpifjes ndaj kryebashkiakut Veliaj.

Përmes një postimi në Facebook, Tabaku thotë se vendimi i Gjykatës ishte në kundërshti me provat dhe faktet që janë të njohura.

Postimi i plotë:

Ditën e sotme gjykata e shkallës së parë nën presionin e një vettingu që po bëhet gjithnjë e më partiak, siç edhe Komisioni i Venecias e vërtetoi, mori një vendim në kundërshti me provat dhe faktet që tanimë janë botërisht të njohura.

Shqiptarët janë dëshmitarë se si plani për Unazën e Re ishte korruptiv që në gjenezë dhe gjithashtu që qeveria në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë kanë ndryshuar planin e kalimit të lumit të Lanës për të favorizuar Edmond Begon. Këto qendrime i kam mbajtur në konferencë për shtyp duke paraqitur prova bindëse, sakaq shqiptarët kanë mësuar tanimë edhe për lidhjen e ngushtë Bego-Balla.

Por sa më shumë e vërteta thërret në veshët e shqiptarëve aq edhe më e madhe është tërsëllima që qeveria e korruptuar dhe kontrolluar nga Mond Begot imponon në sallat e gjykatave. Kush mendon se do të tërhiqemi nga e vërteta duke menduar se na intimidojne me seanca të tilla gjyqësore gabohet. I qendroj plotësisht asaj që kam deklaruar pasi prova të pakundërshtueshme janë themeli i akuzave të ngritura në dy konferencat për shtyp.

Sot banorët janë flakur nga shtepitë e tyre dhe i është hapur rrugë ndertimëve me parà të krimit e të drogës si kudo më Tiranë.

Koha do të tregojë se sa të vërteta kanë qenë vendimet e një gjykate që më së paku iu shmang përgjegjësisë për të gjykuar mbi provat dhe jo sipas pushtetit. Ajo që më gëzon është se ditë më të mira do të vijnë për shqiptarët dhe ditë edhe më të errëta do të jenë për ato që mendojnë se mund ta blejnë të shkuarën dhe të ardhmen me pasuri apo miqësi.

Asnjë hap pas për të denoncuar e treguar te vërtetën. Shqiptarët meritojnë te dinë se kush i qeveris dhe se kush janë miqtë e qeveritarëve me më shumë se një emër!
Shtuar më 16/06/2020, ora 15:57

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori