U propozua si favorizim, ulja e pragut në 1% vështirëson garën për partitë e vogla
Partia Socialiste deklaroi pak ditë më parë se ka vendosur të ulë pragun e hyrjes në parlament për partitë e vogla nga 3% që ishte propozimi i mëparshëm në 1%.

Në korrik, kur Rama mbështeti për herë të parë ndryshimet kushtetuese dhe në kod zgjedhor të propozuara nga e ashtuquajtura “opozitë parlamentare”, propozimi i tij ishte ngritja e pragut zgjedhor në 5% të votave ndërsa ulja, fillimisht në 3% dhe më pas në 1%, u prezantua si një lëshim që Partia Socialiste i bën partive të vogla.

Por një analizë aritmetikore e votave dhe mandateve për çdo qark të Shqipërisë ku garohet për zgjedhjet parlamentare tregon se në fakt, ulja e pragut në 1%, pritet të ketë një efekt edhe më pengues në zgjedhjet e ardhshme parlamentare për llogaritë e partive të vogla garuese se sa pragu i mëparshëm, i cili ishte në masën 3%, por ishte në nivel rajonal.

Shqipëria është e ndarë në 12 zona zgjedhore në të cilat zgjidhen 140 deputetë. Numri i votuesve në secilin qartë përcakton edhe numrin e mandateve të dala nga ai qark. Në qarkun e Kukësit, i cili është më i vogli, dalin 3 deputetë ndërsa në qarkun e Tiranës, që është më i madhi, më 2017 janë zgjedhur 34 deputetë.

Kjo do të thotë që për qarkun e Kukësit, një parti politike duhet të marrë së paku 33% të votave në këtë qark për të nxjerrë një deputet ndërsa në qarkun e Tiranës, nevojiten 2.95% të votave për të marrë një deputet. Ky është pragu aritmetik dhe nuk ka lidhje me pragun ligjor përjashtues të miratuar nga Kuvendi me ligj. Nëse një parti merr më pak vota nga sa nevojiten për një mandat në një qark të caktuar, atëherë votat e asaj partie nuk ndikojnë në ndarjen e mandateve.

Për shembull, në zgjedhjet e vitit 2017, partia Lëvizja Socialiste për Intergim mori 7% të votaveQarkun e Kukësit ndërsa tre mandatet e qarkut u ndanë dy për PD-në dhe 1 për PS-në, duke i nxjerrë të pavlefshme të afro 3 mijë votat e LSI-së në këtë qark. Në këtë rast, pavarësisht nëse pragu është 5% apo 1%, votat e një subjekti të vogël janë të pavlefshme.

Po kështu, në qarkun e Tiranës, në vitin 2017, partia Drejtësi Integrim dhe Unitet arriti të marrë 2.99% të votave të qarkut, të cilat praktikisht mund t’i jepnin kësaj partie një mandat deputeti. Por PDIU nuk e mori mandatin e deputetit për shkak se ajo duhej të plotësonte kushtin ligjor të marrjes së më shumë se 3% të votave të qarkut, gjë për të cilën i mungonin më pak se njëzet vota.

Situata duket lehtësisht e ndryshuar me zëvendësimin e pragut rajonal në masën 3% me pragun kombëtar në masën 1%.

Për shembull, Partia Social Demokrate e deputetit Tomë Doshi, mori gjithsej 14,987 vota në të gjithë vendin, por nga këto 13,226 vota i mori në Qarkun Shkodër ku Doshi u zgjodh edhe deputet.

Nëse në zgjedhjet e vitit 2017 do të ishte zbatuar pragu kombëtar 1% dhe jo ai rajonal 3%, atëherë Doshi nuk do të kishte plotësuar kriterin e pragut ligjor për shkak se të 14,987 votat e PSD-së në rang kombëtar bëjnë 0.95% të votave totale të vlefshme.

Me pak fjalë, zëvendësimi i pragut rajonal 3% me pragun kombëtar 1% duket se e ka vështirësuar nxjerrjen e një mandati për partitë e vogla, por jo se e ka vështirësuar shumë.

Nëse një parti e vogël do të dalë në zgjedhje, duket se shanset më të mëdha i ka në Tiranë, ku, në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të kaluara, i nevojitet të marrë rreth 12,500 vota, por përveç kësaj, do të duhet të ketë marrë në rang kombëtar më shumë se sa 16,130 vota, pra më shumë se 1% e të gjitha votave të vlefshme të hedhura në zgjedhjet e vitit 2017./reporter.al
Shtuar më 08/10/2020, ora 23:44

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori