Sfida në “Tik Tok”, 12-vjeçari i jep fund jetës duke bërë video

Një djalë 12-vjeçar është gjetur i varur në dhomën e tij në Kato Patisia mbrëmjen e së premtes. Lajmi për vdekjen tragjike të të miturit, tronditi autoritetet teksa po përpiqeshin të hetonin se çfarë e çoi vogëlushin në vendimin për t’i dhënë fund jetës.

Sipas asaj që është bërë e ditur, fëmija është gjetur i varur në dhomën e tij nga prindërit, të cilët në gjendje shoku kanë thirrur ambulancën e EKAB-it. Megjithatë ishte tepër vonë, raporton tanea.gr.

Lajmi përhapi trishtim edhe në zonën e Pagratit, pasi 12-vjeçari ishte një sportist dhe shumë i dashur. Madje, fundjavën e kaluar ai do të merrte pjesë në lojërat panhelenike në Lutraki të cilat u zhvilluan në një atmosferë zie për shkak të ngjarjes tragjike.

Sipas informacioneve zyrtare, Policia ka nisur hetimet për shkaqet që e çuan 12-vjeçarin drejt vetëvrasjes. Një nga skenarët e konsideruar nga autoritetet është se fëmija ka marrë pjesë në sfidën e lojës online “Blackout Challenge”, një lojë vdekjeprurëse e platformës TikTok.

Policia ka gjetur në dhomë celularin pranë 12-vjeçarit, i cili do të japë përgjigje për shkaqet e tragjedisë, pasi pritet të shihet nëse ka pasur një bisedë që shpjegon arsyet e vetëvrasjes apo ka pasur diçka tjetër që e ka shqetësuar.

Çfarë është sfida e “Blackout”?

“Blackout” apo “Sfida e errësirës” i inkurajon pjesëmarrësit të mbysin veten, me fije ose kabllo, derisa të humbasin përkohësisht vetëdijen, të filmojnë gjithë ngjarjen në video dhe më pas ta ngarkojnë atë në platformën e njohur Tik Tok. Në disa raste kjo lojë ka qenë fatale. Madje mjekët kanë paralajmëruar për rreziqet e pjesëmarrjes në këtë sfidë, e cila mund të çojë edhe në vdekje.

Ndonjëherë, sipas mjekëve, “Blackout Challenge” mund të shkaktojë të fikët, konvulsione, madje edhe dëmtime të trurit./alobeu.com