U nxorr nga mbledhja, reagon Veliaj: Sjellja e turpshme e PD, sulmojnë projektet më të bukura të Tiranës
Pëlqej
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një reagim ka sqaruar se ai ishte i ftuar për të marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të Kulturës, për të sqaruar projektin e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar.

Duke komentuar sjelljen e deputetëve të PD-së në këtë komision ai tha se megjithëse ishte ftuar të ishte i pranishëm, opozita u përpoq t’i ngrinte një kurth për të shprehur mllefin ndaj suksesit të negociatave dhe diskutimeve me artistët dhe arkitektët për projektin e Teatrit të ri Kombëtar.

“Që në fillim e kuptova që ky ishte nëj kurth dhe kjo nuk ishte një seancë për tu dëgjuar. E pashë që aty mungonin aktorët, përveç një personazhi që përfaqëson një nga sindikatat dhe që sigurisht aspiron të jetë drejtor i Kulturës së PD. S’ka asnjë problem, të gjithë njerëzit kanë aspirata dhe janë të ligjshme ama të reduktosh gjithë betejën e sinqertë të aktorëve për të kuptuar, për t’u njohur, informuar, për të parë projektin, për të filluar një negociatë! Reagimi i sotëm ishte një reagim mllefi ndaj ekspertëve. Kur panë që dje aktorët i braktisën, sigurisht që i kapi trishtimi. Sepse kuptuan që edhe kjo histori do ketë fatin e këndit të lojërave”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh i sigurt se edhe projekti i Teatrit të ri Kombëtar do të ketë njëjtin sukses siç kanë patur edhe të gjitha ato projekte të tjera që janë sulmuar fortë nga PD. “Unë besoj se teatri do të ketë të njëjtin fat siç kanë pasur projektet madhore në Tiranë. Një gjë që gjenerata jonë nuk duhet t’i falë vetes është të akuzohemi për harresë dhe unë sot jam këtu për kujtesë. I patë këta personazhe? Me patllake në xhep, te këndi i lojërave të fëmijëve. Kjo është një gjë që mund të verifikohet, shkoni te këndi i lojërave sot, aty I kemi edhe Aldon me kalamajtë, të gjithë deputetë e tyre, edhe Strazimirin, edhe Noka kur nuk është në kamera atje i çon fëmijët. Pyetja është: A nuk e kemi parë ne këtë film më parë, që këta i sulen të gjithë atyre që kanë një projekt të mirë për Tiranë. A nuk e kemi parë ne këtë film që sa herë që Tiranën e drejton PS ka progres. Provat dëshmojnë që ka vetëm një fuqi progresiste për Tiranën, unë e pashë të njëjtin film jo vetëm te këndi i lojërave ku Bujar Nishani do hyjë në histori si i vetmi president që protestoi këndin e lojërave. A ka mundësi të të japë Zoti shansin të jesh i pari i vendit tënd dhe të mbahesh mend vetëm për skandal?! Si ka mundësi: Të njëjtën gjë e pashë tek Pazari I Ri. A nuk ju kujtohen Këshilli Bashkiak. Gjithë PD te Pazari i Ri, të mbrojmë trashëgiminë, shiheni sot! Mbrëmë isha me disa aktorë, ishin të gjithë PD aty për darkë. A e kuptoni që këta janë thjesht aktorë dështakë?! Janë aktorë të mbetur në tentativë”, shtoi Veliaj.

Ai falenderoi aktorët që janë distancuar nga ndikimet politike dhe janë kthyer te racionaliteti i diskutimeve mbi këtë çështje. “Unë i kam takuar të gjithë aktorët. Nëse nuk e kam takuar të gjithë kam kontaktuar me të gjithë. Më rezulton se shumica e grupeve të interesit, aktorët, artistët, arkitektët dhe spektatorët e duan të renë. Ndaj ne duhet të përgatitemi për të renë. Ndaj u jam mirënjohës të gjithë artistëve që e duan të renë. Jam optimist se shumica dërmuese do progres dhe duan të renë, ky qytet do të eci përpara, aktorët të parët”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj sqaroi se është i hapur për të diskutuar dhe negociuar me grupet e interesit dhe të gjejnë zgjidhjen më të mirë për teatrin.

“Sot nuk ka rëndësi nëse jeni me PD apo me PS-në, ajo që kanë rëndësi është të shohin sa progres kemi bërë me Tiranën. Shikoni stadiumin. Shumica dërmuese e artistëve dhe aktorëve duan progres. Unë jam gati që të negociojmë dhe të marrim produktin më të mirë, të jemi të gjithë bashkë dhe të marrim produktin më të mirë. Të ndërtojmë teatrin e ri aty ku është”, u shpreh Veliaj.
Shtuar më 19/06/2018, ora 13:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori