Familja Felaj “kap” Prokurorinë e Tiranës, Bardhi: Drejtësia institucioni i qokave dhe ndereve

Deputeti Demokrat, Gazment Bardhi, foli sot në Kuvend për skandalin e radhës të drejtësisë, pasi në Prokurorinë e Tiranës bëjnë pjesë katër familjarë të deputetes së PS-së Ermonela Felaj dhe njëkohësisht zevendës kryetare e parlamentit.

Bardhi tha se drejtësia po shërben si institucioni i qokave dhe ndereve, dhe nuk po i ofron qytetarëve reformën e premtuar.

Gazment Bardhi: Drejtësia e re e të paprekshmëve të vjetër nuk rregullohet as me rezoluta, as me rekomandime e as me këshilla në këtë sallë. Kështu e kam mbyllur fjalën time ekzaktësisht një vit më parë, ku njëlloj si sot miratonim rezolutat për institucionet e drejtësisë. Ka kaluar një vit dhe për fat të keq asgjë nuk ka ndryshuar. Ne vazhdojmë të bëjmë sikur rekomandojmë, ndërkohë që institucionet e drejtësisë vazhdojnë të bëjnë sikur punojnë. Kjo është tashmë një histori e njohur prej 32 vitesh – ashtu sic i njohur është edhe fakti që në Shqipëri ka një kategori individësh, që për shkak të statusit, pozicionit apo pasurisë, kanë statusin të paprekshëm.

Ishte kjo drejtësia që ne donim të shëmbnim kur miratuam Reformën në Drejtësi me 140 vota në vitin 2016. Kërkuam të shëmbnim drejtësinë e mikut dhe shokut, drejtësinë e ndërhyrjeve politike, drejtësinë që ulte kokën përpara të paprekshmëve. Sot pas 8 viteve me keqardhje të thellë mund të themi që ende nuk ja kemi dalë.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP miratoi të martën më 27 qershor me 10 votat e anëtarëve të pranishëm projektaktet për renditjen e kandidatëve për tre pozicione vakante në Prokurorinë e Tiranës, ku në të tre rastet e para në listë u rendit prokurorja e Vlorës, Eranda Felaj.
Ajo është motra dhe familjarja e katërt e deputetes së Patisë Socialiste, Ermonela Felaj, e cila pritet të emërohet në Prokurorinë e Tiranës.
Përgjatë katër viteve të fundit, në Prokurorinë e Tiranës janë emëruar tashmë tre familjarë të deputetes Felaj. Në mars të vitit 2019, KLP vendosi të emërojë si prokuror në Tiranë përmes një procedure të diskutueshme bashkëshortin e deputetes, Bledar Valikajn, pa kaluar më parë procesin e vetingut.

Vetëm pak muaj më vonë, në maj 2019, Prokuroria e Përgjithshme përzgjodhi pas një procedure konkurruese vëllanë e deputetes, Armando Felaj si oficer të policisë gjyqësore në Prokurorinë e Tiranës. Në mbledhjen plenare të datës 29 maj, u miratua projektakti për transaferimin e bashkëshortes së këtij të fundit, Alma Felaj, nga Prokuroria e Durrësit në atë të Tiranës.

Miratimi i renditjes së Felajt e para në listën e kandidatëve për të tre pozicionet vakante në Prokurorinë e Tiranës, u krye pas diskutimeve mes anëtarëve të KLP-së. Anëtari Sokol Stojani vërejti se në Prokurorinë e Tiranës tashmë janë emëruar vëllai, kunati dhe kunata e prokurores Eranda Felaj.
/albeu.com/


Shtuar 3.07.2023 14:12