U kthyen nga Siria, katër fëmijët dhe Floresha Rasha do vëzhgohen nga anti-terrori
Katër fëmijët e riatdhesuar dje nga kampi Al-Hol bashkë me Floresha Rashën kanë nisur sot procesin e rehabilitimit dhe integrimit në shoqëri.

Abcneës.al bën me dije se është ngritur një grup pune i përbërë nga disa institucione, si Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit, Ministria e Brendshme dhe Agjencia Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, të cilët kanë hartuar planin e punës për mënyrën se si do të vijojë trajtimi i 5 shqiptarëve të riatdhesuar.

Mësohet se plani i punës do të jetë afatgjatë. Aktualisht secilit prej tyre i është vendosur në dispozicion nga një mjek, infermier, psikolog, si dhe një ekspert arsimi. Gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e mirë, por më problematike kanë anën psikologjike. Kjo pasi të riatdhesuarit kanë shfaqur shenja frike.

Nga grupi i punës mësohet se fillimisht me ta po punohet për ambientimin e tyre në territorin shqiptar. Nuk ka një afat të caktuar se sa 5 shqiptarët do të qëndrojnë në Kavalishencë në Durrës, ndërsa takimet me familjarët nuk do u ndalohen.

Po ashtu, pjesë e grupit të punës do të jetë edhe njësia e Anti-terrorit. Edhe pse nuk do të kenë agjentë pranë godinës ku janë strehuar katër fëmijët dhe Floresha Rasha, sërish ata do të vëzhgohen në distancë. Kjo për shkak të dyshimeve se mund të kenë lidhje me persona që mund t’i nxisin për qëllime terroriste.

Ndërkohë SPAK pritet të marrë në pyetje Floresha Rashën për të mësuar rrugën e largimit drejt Sirisë, rekrutuesit dhe personat që i kanë transportuar.
Shtuar më 28/10/2020, ora 12:57

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori