U kap në Morinë, kush është ish-drejtori i LSI-së pjesë e fajdexhinjve në Shkodër

Ditën e sotme një operacion i madh i koduar "Maranaj" është ekzekutuar në Shkodër.

Në këtë aksion ku operues ishin forcat RENEA, FNSH dhe Shqiponjat ranë në pranga 11 persona ndërsa pak orë më vonë u arrestua edhe personi i 12.

Ky i fundit është identifikuar si Ilir Sokoli 38 vjeç banues në Shkodër, i cili po udhëtonte në drejtim të Kosovës përmes pikës kufitare në Morinë, për tu larguar jashtë vendit.

Ilir Sokoli mësohet se në Shkodër ka qënë ish-drejtori i LSI tek Patentat.

Sipas policisë ish-kancelarë gjykate, policë dhe noterë, dhe ish-drejtori i LSI-së i Patentave në Shkodër janë përfshirë në një skemë të fajdeve të zbuluar nga hetimet e nisura prej 25 janarit të 2018-ës nga Prokuroria e Shkodrës në sajë të referimeve nga policia e këtij qarku.

Në skemë është provuar se janë të përfshirë 22 persona, 12 prej tyre kanë rënë në pranga, katër janë shpallur në kërkim, dhe tre janë pezulluar nga detyra dhe janë me masë detyrim paraqitje, mes të cilëve një polic dhe një notere, treansmeton ReportTV.

Sipas hetimeve të prokurorisë, është vërtetuar përfshirja e këtij grupi personash në veprimtarinë e organizuar të dhënies së huasë, jashtë sistemit bankar, të shumave të konsiderueshme të të ardhurave monetare. Huatë janë dhënë me interesa shumë të larta, që variojnë nga 3-20 % në javë nga ana e personave të implikuar.

Përmes kësaj skeme, të dyshuarit kanë përfituar pasuri të paluajtshme (toka, apartamente, dyqane), dhe automjete, të cilat i kanë kaluar në pronësi të tyre. Kjo, pasi kush nuk paguante borxhin, për 1 javë anëtarët e kësaj organizate kriminale, i merrnin makinat dhe pronat dhe i kalonin në emër të tyre.

Një specialist i zonës në komisariatin e Shkodrës, Ergys Lohja, është pezulluar nga detyra, si dhe janë në kërkim E.M; J.A.; Gjithashtu, u pezullua nga detyra edhe noterja Valbona Hajdari, dhe një person tjetër me incialet A.S., nga Shkodra.

Prokuroria thotë se me vendim të gjykatës është ushtruar kontroll në një numër të madh banesash, ku janë gjetur dhe sekuestruar një numër i madh automjetesh, vlera të konsiderueshme monetare, rreth 500.000 euro, aparate celularë dhe të tjera.

Prokuroria ka bërë përgjime telefonike, ambientale, vëzhgime, të gjitha të legjitimuara nga Gjykata, prej nga është faktuar përfshirja e 22 personave në veprat penale “Ushtrim pa licencë i veprimtarisë bankare”, me pasoja të rënda, ne bashkëpunim, “Pastrim i produkteve të veprës penale”, “Shpërdorim detyre”, “Prodhim dhe Mbajtje pa leje e armeve luftarake dhe municioneve” dhe “Moskallzim te krimit".
Shtuar më 14/03/2019, ora 15:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori