Autorët ndoqën nga pas kunatin dhe djalin e Gentian Bejtjas, si i humbën gjurmët ekzekutorët, dyshohet se…

Autorët e atentatit mafioz në fshatin Larushkë të Krujës dyshohet se kanë qenë tre. Si pasojë e atentatit në oborrin e banesës së Gentian Bejtjat pak pas mesnate mbeti i vrarë kunati i tij, Ramzan Sino dhe i plagosur djali i tij Alvi Bejtja ( dajë e nip).

Gentianit dhe familjarëve të tij u është bërë pritë dhe sapo kanë zbritur nga makina, pranë banesës së 42-vjeçarit, është qëlluar me breshëri plumbash. Dyshohet se autorët kanë ndjekur lëvizjet e Ramazan Sinos dhe nipit të tij, Alvi Bejtja deri në momentin që kanë mbërritur në banesë.

Dy persona kanë pasur rolin e ekzekutorit, ndërsa një persona ka drejtuar automjetin e autorëve tip “Volswagen”, që 25 minuta pas ngjarjes u gjet i djegur në fshatin Tapizë.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, makina është djegur totalisht, teksa brenda saj janë gjetur 3 armë zjarri tip kallashnikovë.

Por në zonë nuk ka kamera sigurie pasi janë hequr në kuadër të operacionit të policisë “Fijet”.

Kjo është hera e tretë që Gentian Bejtja i shpëton atentatit.

Me 9 janar të vitit 2022 Gentian Bejtja i shpëtoi një atentati në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë ndërsa mbeti i plagosur miku i tij 31 vjeçar Klodian Stafuka që ishte me të në makinë gjatë momentit kur ndaluan për të furnizuar makinën në një pikë karburanti. Ngjarja mbetet e pazbuluar.

Gentian Bejtja më 2016 i ka shpëtuar një atentati, me eksploziv. Bejtja ishte personi që së bashku me Enver Stafukën vodhën veturën e përdorur në vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt në vitin 2013. Por po ashtu Bejtja, një ish- polic i burgut të Fushë- Krujës, është i njohur për policinë për precedentë penalë në krimet ndaj pronës.

Bejtja u bë i njohur me 26 shkurt të vitit 2013, një ditë pas vrasjes së kryekomisar Dritan Lamajt, në rrugën “Petro Korçari”, fare pranë banesës së tij. Ai së bashku me Enver Stafukën, u arrestuan nga policia, të dyshuar për vjedhjen e veturës BMW, e përdorur në vrasjen e kryekomisar Lamajt./albeu.com/