U godit me mjete të forta nga banorët e Astirit, ja si është gjendja e punonjësit të IKMT
Arben Bitri, punonjës i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit është dhunuar mëngjesin e sotëm nga banorët e zonës së Astirit dhe si pasojë e dëmtimeve të marra është dërguar me urgjencë në spitalin e Traumës.

Ai është vizituar nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku dhe kryeinspektorja e Dallëndyshe Bici, të cilët u njohën nga afër me gjendjen e tij shëndetësore, duke i uruar këtij të fundit shërim të shpejtë.

“Ju falenderoj shumë për përkujdesjen sepse në një situatë të tillë, kur një nëpunës shteti dëmtohet në krye të detyrës, kemi përgjegjësi institucionale, shtetërore pak më të madhe për t’iu gjendur pranë. Kjo është arsyeja pse gjetëm një moment për të ardhur këtu për ta vizituar. Ju falenderoj për gjithë mbështetjen”, tha Mazniku.

Ndërsa, mjeku Sotir Ceka u shpreh se situata shëndetësore e Arben Bitrit paraqitet e stabilizuar, ndërsa tha se ai ka fraktura në krahë dhe dy plagë në kokë.

Ditën e sotme, banorët e kësaj zone kanë goditur me mjete të forta punonjësin Albert Bitraj, duke i shkaktuar dëmtime në kokë dhe në duar. 50-vjeçari ndodhej në zonë duke u bërë thirrje banorëve të zonës së ‘’Unazës së Re’’ të lirojnë banesat deri ditën e hënë teksa do të nisë shembja e tyre, ashtu siç edhe është parashikuar në projektin urbanistik.
Shtuar më 07/11/2019, ora 21:03

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori