U dëmtua rëndë në protestë, MSH: Polici do t'i nënshtrohet një tjetër operacioni
Ministria e Shëndetsisë ka njoftuar se efektivi me iniciale F.A. i cili u plagos gjatë protestës së djeshme në emër të Klodian Rashës, është në gjendje të rëndë.

Sipas Minisitrisë, efektivi i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në sy dhe pritet të futet sërish në sallën e operacionit, për një tjetër ndërhyrje.

“Prognoza e efektivit 36-vjeçar me iniciale F.A është mjaft e rëndë”, thotë Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkohë, 15 efektivë të policisë kanë lënë spitalin pas mjekimit të marrë.

Deklarata e plotë:

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon se, gjatë mbrëmjes së djeshme, deri pas mesnate, kanë marrë shërbim në spitalet universitare të Tiranës 16 të lënduar në protestën e dhunshme të zhvilluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Janë trajtuar 16 punonjë të policisë dhe dy protestues, ku njëri prej punonjësve të rendit ka dëmtime serioze të syrit.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, punonjësi i policisë me inicialet F.A., 36 vjeç, i është nënshtruar ndërhyrjes së parë kirurgjikale, në shërbimin e Okulistikës, pas dëmtimit të rëndë në sy.

Referuar mjekëve që kryen ndërhyrjen, 36 vjeçari do t’i nënshtrohet një ndërhyrje të dytë, por prognoza është mjaft e rëndë.

Ndërsa të lënduarit e tjerë kanë lënë spitalin, pas trajtimit mjekësor.
Shtuar më 10/12/2020, ora 13:57

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori