“Mos u merrni me Like Floririn”, Rama nga Malësia e Madhe: Kandidati i Berishës i fryn përçarjes fetare, mos i jepni asnjë kokërr vote

Kryeministri, Edi Rama, zhvilloi sot në kuadër të fushatës elektorale një takim me me qytetarët e Malësis së Madhe. Rama prezantoi sot kandidatin e Partisë Socialiste, Tonin Marinaj, për bashkinë e Malësisë së Madhe për zgjedhjet e 14 majit.

Rama komentoi fjalët e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” , Isa Ramaj, i cili foli për dallime fetare mes kandidatëve.

Për rrjedhojë Rama i bëri thirrje qytetarëve të mos i japin “asnjë kokërr vote kandidatit të Berishës”.

Ai tha se askush nuk mund të tolerojë përçarje fetare në Shqipëri.

“Dëgjova se këtu ka një kandidat që i fryn përçarjes fetare. Vetëm për këtë arsye atij nuk i duhet më dhënë asnjë votë, Kjo zonë e Shqipërisë ka nxjerrë shumë figura të mëdha të historisë sonë, figura të mëdha të komunitetit katolik e mysliman por nuk njoh asnjë prej tyre që t’i ketë fryrë përçarjes fetare. Përkundrazi, prej tyre kemi mësuar se shqiptarët janë një dhe katolikët e myslimanët
Unë jam katolik, gruaja myslimane, 2 fëmijët nga martesat e para janë ortodoks dhe i vogli do e vendosi vetë. Nuk ka poshtërsi më të madhe se sa të flasësh shqip dhe t’u thuash njerëzve ndahuni në myslimanë dhe katolikë. Myslimanët në radhë të parë do t’i thonë ‘shko për dreq’ , s’ke asnjë kokërr vote nga ne”, tha Rama./albeu.com/


Shtuar 30.04.2023 13:20