U akuzua se injektoi ujë e jo vaksinën anti-covid, përgjigjet Rama
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur sot në Kuvend lidhur me procesin e vaksinimit anti-Covid tha se do të bëhet transparencë mbi anti-trupat dhe efektet e vaksinës.

Ai ironizoi analistët dhe opinionistët “e rangut të lartë” që sipas tij kanë aluduar që ai ka injektuar ujë dhe jo vaksinën Pfizer, duke thënë se do të ndihen të garantuar nga faktet.

"Në momentin që kompania do të bëjë furnizimin e parë për të sjellë 10700 vaksinat e para në Shqipëri, ne do të ndjekim të njëjtin proces siç është ndjekur në të gjitha vendet e tjera për të hequr edhe çdo sekëlldi të krijuar nga gjithëçfarëlloj tralalash nëpër media dhe rrjete sociale, dhe po ashtu kam biseduar edhe me ministren që në momentin që pjesa që ka bërë vaksinën, do të kthehet për të marrë edhe dozën tjetër, cilido që është i gatshëm, unë po, të bëjë një transparencë mbi anti-trupat, për të parë që vaksina është marrë ajo që thuhet dhe ka bërë të gjithë efektin e parashikuar.

Meqë kam parë që ka pasur edhe analistë dhe opinionistë të rangut të lartë që kanë hedhur idenë se në fakt unë jam injektuar me ujë biologjik.

Ky është një nivel analize shumë i lartë për ne njerëzit e zakonshëm, sidoqoftë është oportune t’u jepet mundësia atyre që e ndjekin këtë nivel të lartë analize të ndihen të garantuar nga faktet", tha Rama.
Shtuar më 18/01/2021, ora 18:56

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori