Tymosi hashash tek varri i Azem Hajdarit, dy djemtë dhunojnë keq të riun
Ditën e djeshme dy djemtë e Azem Hajdarit janë arrestuar nga policia e Shkodrës pasi rezultonin përsona në kërkim me akuzën "plagosje e lehtë me dashje".

Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se Kirjol e Azem Hajdari, 32 e 19 vjeç, u ndaluan të martën në Pikën e Kalimit Kufitar të Muriqanit.

Por pas disa orësh në polici dhe konsultimit me prokurorin, u vendos që të lihen të lirë.

Sot mësohet se ngjarja për të cilën janë vënë në pranga djemtë e Azem Hajdarit, rezulton të ketë ndodhur më 27 dhjetor të vitit 2017.

Një 20-vjeçar i denoncoi vëllezërit Hajdari për plagosje, duke pretenduar se e kishin goditur në trup dhe në kokë me sende të forta.

Sipas të dëmtuarit, shtetasit Mikel Margjeka, i cili rezulton i dënuar më parë për vjedhje, ngjarja ka ndodhur në një lokal në zonën e Saukut, ku ai banon.

Por me njërin prej djemve të Azemit, të voglin që mban edhe emrin e të atit, ishte përballur edhe një herë më parë, 3 ditë para ngjarjes, në Varrezat e Dëshmorëve, raporton ReportTV.

Sipas deklarimeve të Margjekës, por edhe të dy vëllezërve Hajdari, gjithçka ka ndodhur për shkak të një cigareje hashash.

Më datë 24 dhjetor 2018, djali i vogël i Azem Hajdarit ka shkuar te varri i të atit, te Varrezat e Dëshmorëve.

Një ritual, për të cilin ai është shprehur në polici se e bënte herë pas here. Teksa i afrohej varrit të të atit, ka parë dy persona që po qëndronin aty.

Fillimisht ka menduar se mos ishin të afërm të tij, që ndodheshin aty për të njëjtin qëllim, por kur ka shkuar pranë tyre, nuk i ka njohur.

Sipas tij, dy të rinjtë, njëri prej të cilëve Mikel Margjeka, kanë qenë duke tymosur cigare me hashash te varri i babait të tij.

Për Azemin 19- vjeçar, ky veprim ishte dhunim i varrit të të atit dhe ka debatuar ashpër me të rinjtë, duke i larguar nga aty. Debati me fjalë ka zgjatur pak minuta, ndërsa djali i Azemit është betuar se kjo ngjarje nuk do të mbyllej me kaq.

Tri ditë pas konfliktit që djali i vogël i Azem Hajdarit ka pasur te Varrezat e Dëshmorëve me dy të rinjtë që pinin hashash, ka ndodhur konflikti për të cilin ai me të vëllain, Kirjolin, u shpallën në kërkim.

Dy vëllezërit kanë shkuar në një lokal në zonën e Saukut, ku janë përballur me njërin nga djemtë që pinte hashash te varri i Azemit, shtetasin Mikel Margjeka.

Aty ka nisur një debat e më pas konflikt fizik mes tyre. Vëllezërit Hajdari dyshohen se e kanë goditur 20-vjeçarin Margjeka duke e plagosur lehtë.

Ky i fundit, që sipas policisë është person i dënuar më parë për vjedhje, ka pretenduar në polici se është goditur me sende të forta në kokë dhe në trup. /albeu.com/

Shtuar më 05/01/2018, ora 10:39

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori