Turqit: Na e provoni që kemi arrestuar Baren
Pëlqej
Albeu.com
Gjykata e turke ua ka lënë në dorë autoriteteve shqiptare që të provojnë se personi i arrestuar në Ankara, mëngjesin e 25 marsit është pikërisht shumë i kërkuari Aldo Bare apo Alfred Shkurti.“Gazeta Shqiptare” ka siguruar vendimin e dhënë nga gjyqtari i gatshëm i gjykatës 11, të shkallës së parë në Ankara, Bayazit Boran, ku është zhvilluar e seanca e dëgjimit për personin që dyshohet se është Aldo Bare. Gjatë zhvillimit të kësaj seance personi i arrestuar është njohur me një urdhërarresti të lëshuar nga Interpoli Turk, pas kërkesës që i ishte bërë nga Interpoli Shqiptar. Në asnjë moment personi i arrestuar nuk ka pranuar se është Alfred Shkurti apo Aldo Bare. I vetmi dokument identifikimi që i është gjetur në momentin e arrestimit, është një pasaportë maqedonase me gjeneralitetet Mikel Kodra. Kunati i Aldo Bares dhe dy avokatët e tij deklaruan pas kthimit nga Turqia se “nuk kërkuam takim me personin e arrestuar, pasi nga kontaktet që patëm me autoritetet e policisë dhe gjykatës së Ankarasë, nuk rezultonte se bëhej fjalë pikërisht për Alfred Shkurtin”. Menjëherë pas lajmit të arrestimit të Aldo Bares, familjarët e tij reaguan duke deklaruar se personi i shfaqur në pamjet televizive që shoqërohej nga dy policë turq, nuk ngjante me Alfred Shkurtin.
Vendimi
Vetëm disa orë pas arrestimit nga forcat speciale turke, Aldo Bare ka dalë përpara gjykatës së 11 të Ankarasë. Gjykata ka zhvilluar një seancë dëgjimi me të arrestuarin duke i bërë dhe komunikimin e urdhërarrestit të lëshuar nga Interpoli Turk më 23 shkurt 2006. “Gazeta” ka siguruar vendimin origjinal të dhënë nga gjyqtari i gatshëm i gjykatës së 11 të Ankarasë Bayazit Boran pas seancës së dëgjimore më të arrestuarin. Kjo seancë është zhvilluar në orën 16.30 të 25 marsit 2006. Në tekstin e vendimit të gjykatës turke thuhet se “Gjyqtari i gatshëm, Bayazit Boran ka vendosur për të dyshuarin si Alfred Shkurti, 40 ditë arrest me burg, pas kërkesës për ekstradimin e tij në Shqipëri, si pasojë e urdhërarrestit të datës 23 shkurt 2006, lëshuar nga Interpoli Turk. Në seancën e dëgjimit të zhvilluar më datë 25 mars 2006 ora 16.30, personi i dyshuar si Alfred Shkurti, i identifikuar në seancë me emrin Mikel Kodra, ka qenë i mbrojtur kryesisht nga avokati i Dhomës së Avokatisë së Ankarasë, Murat Karaman dhe i asistuar nga përkthyesi Serdar Hyseni. Në këtë seancë dëgjimore i arrestuari nuk i është përgjigjur asnjë pyetjeje duke shfrytëzuar të drejtën e ligjshme për të mos folur. Të njëjtin qëndrim mbajti dhe avokati i tij”.
Dyshimi
Avokati turk, Murat Karaman u shpreh për të afërmit e Aldo Bares se gjatë seancës degjimore ishte diskutuar dhe për identitetin e personit të arrestuar, pasi në çastin e arrestimit atij i është gjetur vetëm një pasaportë e rregullt maqedonase, me identitetin Mikel Kodra. Në asnjë prej dokumentave apo materialeve të tjera shkresore të gjetura në banesën ku u arrestua Aldo Bare, nuk egziston ky emër apo emri Alfred Shkurti. Ky fakt ka ndikuar që kunati i tij dhe dy avokatët mbrojtës Vladimir Meçi e Ardian Leka të mos kërkonin një takim me të arrestuarin. Shtetasi turk, B. Burak, në banesën e të cilit u arrestua Aldo Bare u shpreh në polici se “këtë person unë e njoh si Mikel Kodra dhe nuk e di që ka emrin Alfred Shkurti”. Pavarsisht dyshimeve të deritanishme, autoritetet turke kanë zbatuar procedurat sipas marrveshjes së ekstradimit, duke caktuar 40 ditë burg për të arrestuarin. Tashmë mbetet që autoritetet shqiptare të çojnë drejt Turqisë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm ligjorë për të provuar brënda 40 ditëve se personi i arrestuar në Ankara është pikërisht Aldo Bare dhe jo një shtetas maqedonas me emrin Mikel Kodra.
nga Artan Hoxha, G. Shqiptare
Shtuar më 04/04/2006, ora 11:17
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori