Turqit e zemrës, tre muajt e parë me pacientët shqiptarë në Tiranë!
Albeu.com
"Zotëri, këto janë analizat tuaja, por duhet të presim doktorin që të vendosim se ç'do bëjmë më tej, pasi shifrat janë afër limitit dhe nevojitet edhe firma e dikujt nga familjarët",- ishte fjalia e parë që dëgjuam rastësisht, porsa kaluam mes ullinjve të Spitalit Ushtarak dhe po bënim të hynim brenda në spitalin e ri turk të Kardiokirurgjisë, "Balkan Alliance Medical Centre".Me sa duket ishte një nga punonjëset e spitalit, e cila sqaronte dy burrat, njëri rreth të 50-ve, e tjetri rreth të 30-ve, që duhet të mbanin qetësinë e të prisnin sa të vinte doktori përkatës, për t'ju dhënë një mendim më specifik mbi analizat. Nga ana tjetër, dëgjuam burrat tek i thoshin punonjëses: "Shiko, ai doktori turk do vijë ëëë?! Duam të merret turku me këtë rast, se s'kemi besim te shqiptari!". Dy fjali të thjeshta këto, që më bënë të kujtoj në vetvete namin e keq të mjekëve tanë dhe opinionin e mirë që gëzojnë doktorët e huaj te pacientët shqiptarë, sidomos turqit, kur flitet për problemet e zemrës.

***

Vetëm 3 muaj jetë për spitalin e ri turk, kanë mjaftuar që ai të tejmbushet me vizitorë e pacientë. Nga sa pamë dhe vetë, listat e pritjes së vizitave, por edhe vendet në korridor ishin përplot. Njerëzit, nga veshja, duket se i përkisnin shtresave të ndryshme të shoqërisë. Vijuam vëzhgimin në ambientet e tjera të spitalit turk. Pamë dhomat e pacientëve, laboratorët, sallat e operacionit. Takuam doktorë turq e shqiptarë dhe biseduam me ta, e po kështu edhe pacientë. Të gjithë ishin në një mendim: "Këtu ngjallen shpresat për jetën! Doktorët dhe infermieret nuk vijnë rrotull për bakshishe. Specializimi dhe makineritë nuk mungojnë. Pastërtia dhe kultura flasin me gjuhën e tyre. Me pak fjalë, një klinikë normale e standardeve europiane, por që sipas drejtuesve të saj, ka ende mjaft hapa për të hedhur para. "Vërtetë që të gjitha këto e kanë një çmim, por në krahasim me jashtë nuk janë të shtrenjta dhe fundja, faturën e merr që para se të shtrohesh, e të paktën e di se sa të shkon",- thotë një nga pacientët. Pra, një biznes si shumë të tjerë. Çdokush paguan dhe merr shërbimin. Nuk ka nevojë për radhë të pafundme, nuk duhen as të njohurit që të bëjnë ndere, e as bakshishet s'të hyjnë në punë. Të gjithë ata që vuajnë nga zemra, e dinë që nëse duhet të bëjnë koronarografi në QSUT, do të presin rreth një muaj e mos më shumë, gjë të cilën te turqit mund ta bëjnë brenda ditës; kuptohet, kundrejt pagesës.

***

Zakonisht, kur shkruhet për spitalet, problemet janë aq shumë dhe vërshojnë me një kolorit të tillë, saqë të shkruash një reportazh pozitiv e pa kritika, është gjë e rrallë, madje edhe kur je autor i shkrimit të duket si diçka e çuditshme! Për të qenë më të plotë, takuam drejtorin e "Balkan Alliance Medical Centre", z.Kadir Arslan, i cili me mirësjellje pranoi të fliste për "Shekulli-Kontakt". E nisëm bisedën duke e pyetur drejtorin e spitalit turk mbi polemikat e hapura në fillim, përsa i përket spitalit që tashmë ai drejton. "Kam një muaj këtu në rolin e drejtorit të "Balkan Alliance Medical Centre" dhe mund të them se ishte normale që, si çdo fillim i një pune dhe investimi të madh me interesa publike, edhe ne të kishim polemika. Kjo ndodh gjithmonë jo veç këtu, por dhe në Turqi e gjetkë". Ai vazhdon më tutje, duke thënë se "...ç'ka mbetet më e rëndësishmja, është fakti që ne kemi ardhur këtu me një qëllim: Duke u bazuar në lidhjet e hershme historike, por edhe njerëzore mes dy popujve tanë, dëshironim që t'u sillnim vëllezërve shqiptarë shërbimin që ata meritojnë në fushën e Kardiologjisë dhe Kardiokirurgjisë. Synimi ynë është të ndalim ikjen e shqiptarëve lart e poshtë nëpër Europë dhe Amerikë. Të bëjmë që leku i tyre të mbetet këtu dhe të investohet në vendin e tyre. Ata nuk kanë pse sorollaten rrugëve të Europës, e as ambasadave për viza. Nuk kanë pse te bëjnë shpenzime të panevojshme për udhëtime, etj. Tashmë spitali u ka ardhur te dera. Shërbimi që ofrohet këtu, është i njëjtë me atë të spitaleve më të mira në Turqi dhe Europë". Ajo që mund të quhet, sipas drejtorit, dhe si "arma" më e fortë në duart e këtij spitali, janë pikërisht ndërhyrjet kirurgjikale, të cilat nuk janë bërë ndonjëherë më parë në Shqipëri. Na lind kureshtja për të mësuar edhe më tepër mbi planet e investuesve turq për Shqipërinë dhe e pyesim z.Arslan për këtë gjë: "Do të hapet Qendra e Dializës, e cila do ketë një kapacitet prej 150 personash. Ka nisur planifikimi i ngritjes së një spitali të përgjithshëm, që do të ketë të gjitha degët e nevojshme. Ky investim mendohet të jetë shumë i shpejtë, brenda vitit 2007",- tregon ai.

***

Problemet e pacientëve që trajtohen në këtë spital janë koronare, rastet të cilat pacientët kanë nevojë për "bypass", si dhe problemet me valvulat (rastet kur ndërrohen valvulat e aortës, apo siç quhen ndryshe, valvulat mitrale).

Për personat të cilët janë rëndë dhe kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, të cilët nuk kanë mundësi financiare, spitali në një të ardhme të afërt do të mundësojë dhe kredimarrje nga bankat, gjë për të cilën janë bërë bisedime dhe marrëveshja është në proces e sipër. Veç kredisë, spitali turk ka në dispozicion edhe një fond të caktuar, i cili përdoret në këto raste. Ky fond akordohet nga EBRD. Rastet që operohen me fondin e dhënë nga Banka Europiane, caktohen me mbledhje të bordit të spitalit, sipas specifikës dhe urgjencës të rasteve. Nga ky fond kanë përfituar dy persona, një prej të cilëve është operuar me sukses javën e kaluar, ndërsa tjetri, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes është nisur drejt Ankarasë.

Statistika për spitalin e ri turk

-50- operacione(5 prej tyre falas)

-109- koronarografi (20 prej tyre falas)

-25- stenda

-810- pacientë të ekzaminuar

-4 milionë - euro investimi i deritanishëm

-23- pacientë të shtruar aktualisht në spital

-60- personeli turko-shqiptar i spitalit turk

Investimi dhjetëra-milionë euro

Planet e turqve, spital i përgjithshëm për Shqipërinë

Investimet e bëra deri më tani në spitalin e ri turk, pranë Spitalit Ushtarak në Tiranë, arrijnë në shifrën 4 milionë euro. Hapi i dytë i investimit, që do të mbarojë pas 3-muajsh, është instalimi i rezonancës magnetike, skaner me 64 detektorë, shintigrafi dhe Klinika e Hemodializës. "Gjithashtu, jemi duke parë mundësinë e fillimit të programit të transplanteve të veshkës", tregojnë drejtuesit e spitalit. Shuma e këtij investimi arrin në 5 milionë euro. Mësojmë se do të jetë dhe një hap i tretë i investimeve të turqve në fushën e mjekësisë. Bëhet fjalë për ndërtimin e një spitali të kompletuar kirurgjikal, me 100 shtretër, i cili është planifikuar të përfundojë brenda një viti e gjysmë. Shuma e investimit arrin në 15 milion euro. Shumëkush mund të ketë shtruar pyetjen, se pse turqit kanë zgjedhur të pozicionohen me klinikën e tyre, pikërisht pranë Spitalit Ushtarak. Përgjigjen e japin sërish specialistët, të cilët shpjegojnë se "ndërhyrjet e zemrës janë ndërhyrje të komplikuara. Kërkohen ambiente të posaçme dhe qendra të mëdha spitalore, që këto ndërhyrje të realizohen. Duhet një infrastrukturë e madhe dhe e mirëfilltë, që suksesi dhe standardet të jenë të garantuara. Ne kemi kryer një investim shumë të madh, përsa i përket evitimit të plotë të oshilacioneve dhe ndërprerjeve të energjisë elektrike, ujit dhe gazrave mjekësore". Gjithashtu, përgjegjësit turq shprehen se "mbështetja e gjithë stafit të Spitalit Ushtarak ka qenë shumë e madhe dhe pa rezerva, për realizimin e kësaj nisme kaq të rëndësishme për pacientët shqiptarë. Në Turqi kemi eksperiencë shumëvjeçare në Kardiologji dhe Kardiokirurgji. Edhe tek ne, në fillimet tona, shteti ka dhënë një suport të madh dhe të rëndësishëm për mbarëvajtjen e kësaj pune". Diagnostikimi dhe ndërhyrjet e tjera mund të kryhen dhe në ambiente të vogla e të veçuar, por Kardiokirurgjia do një qendër të mirëfilltë spitalore, pasi gabimet dhe avaritë që mund të ndodhin janë fatale për jetën e pacientit. Stafi që punon është i profesionalizuar. Janë mjekë e profesorë të Qendrës Universitare të Ankarasë, që është e njohur në të gjithë botën për arritjet e veta të fushës. Edhe mjekët shqiptarë që punojnë në klinikën e re turke, janë specializuar për një periudhë të gjatë në Ankara. Po kështu, infermierët dhe krejt personeli i mesëm, janë turq e shqiptarë të specializuar në Kardiologji e Kardiokirurgji.

Flet pacientja Miranda Karaj, pas operacionit

"Shpëtova, pasi turqit më ndërruan valvulën e zemrës"

Mundëm të gjenim në spitalin e ri turk edhe një nga pacientet, e cila para pak kohësh kishte kryer një operim të vështirë, siç është ndërrimi i valvulave të aortës. Miranda Karaj, quhet 29-vjeçarja nga qyteti i Elbasanit. Para një muaji e gjysmë ajo ka kryer operimin me sukses dhe sot vazhdon kurat për të stabilizuar shëndetin e saj, që ishte në pikë kritike mes jetës e vdekjes. Miranda ka pranuar të flasë për "Shekulli-Kontakt" dhe na ka treguar se tashmë ndjehet shumë mirë. Ajo vuante nga probleme të zemrës dhe bëri zëvendësim të valvulës mitrale.

-Çfarë problemi kishit dhe si erdhët te spitali turk në Tiranë?

Fillimisht kemi shkuar në spitalin shtetëror, por, për të qenë më të sigurt, nuk pranuam të bënim ndërhyrje aty. Donim të shkonim jashtë shtetit, por meqenëse spitali turk u hap këtu, erdhëm këtu.

-Thatë se fillimisht keni shkuar te spitali shtetëror, pse nuk u operuat aty?

Siç ju thashë, më parë shkuam te spitali shtetëror, por dihet si punojnë atje... Një shoku i burrit tim kishte operuar të afërmin e vet dhe vetëm për operim i morën 6 milionë lekë. Kushedi sa ka harxhuar dhe për bakshishe e për shpenzime të tjera. As kushte e as shërbim aty nuk ka. Ndaj nuk pranova të operohesha në shtet, se të del më shtrenjtë se te privati dhe të mungon siguria.

-Sa paguat në spitalin turk të Tiranës, për operacionin dhe shërbimet e tjera?

Gjithsej kemi dhënë 7 mijë euro. Kam qëndruar në spital dhe 8 ditë pas operacionit. Kam pasur dhe shoqëruese me vete. Kisha operim të vështirë, se më ndërruan valvulën e zemrës. Nga shërbimi jam e kënaqur. Çdo gjë e shkëlqyer! Kushton pak e ne nuk jemi parelinj të mëdhenj, por shëndeti nuk ka çmim, fundja, më shtrenjtë të shkonte ne spitalin shtetëror. Lëre jashtë pastaj, që mund të prishja dhe dyfishin...


nga Petrika GROSI- Shekulli
Shtuar më 21/03/2007, ora 10:33
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori