Aksioni i qeverisë për konfiskimin e pallateve pa leje kthehet në një flluskë, vijon normalisht puna

Vladimir Karaj-BIRN

Pasi del me vrull nga një kabinë e ngushtë metalike, me pamje të zymtë dhe ton urdhërues, roja i kantierit të ndërtimit të kompanisë ‘Salillari’ pranë Kopshtit Zoologjik, kërkon pa shpjegime të mos filmojmë.

Ai nuk bindet edhe pasi japim e marrim për t’i shpjeguar se jemi në rrugën publike dhe se madje edhe karabinaja që ai ruan, prej të cilës vijnë vazhdimisht zhurma matrapiku e makinerish, është pronë publike e konfiskuar me vendim të KKT-së më 9 nëntor 2022.

“Largohuni që aty” urdhëron roja, ndërsa na kërkon që të marrim leje dhe më pas merr dikë në telefon, të cilit i referohet me fjalën “shef” dhe kalon telefonin celular për të na bindur.

Ndryshe nga roja, shefi përtej receptori është më i arsyeshëm, edhe pse nuk prezantohet me emër.

Pasi interesohet nëse kishim filmuar edhe godinat e tjera pa leje e të konfiskuara në vjeshtë të vitit që shkoi nga qeveria, ai thotë vetëm se nuk lejohej të futemi në kantier. Këmbënguljes tonë për të patur një reagim zyrtar nga kompania i përgjigjet shkurt se ishin me pushime deri në shtator.

Në kantier ndërkohë nuk ka pushim. Punëtorët shfaqen ndërsa hipin e zbresin në skela, ndërsa një kamion del nga rrethimi i kantierit.

Pallati në ndërtim, pranë Kopshtit Zoologjik në Tiranë, është pjesë e një grupi prej 25 objektesh – kryesisht në kryeqytet, që u konfiskuan plotësisht ose pjesërisht nga Këshilli Kombëtar i Territorit, KKT bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave 589/2022, pasi u gjet se kishin shkelur lejet e ndërtimit në vjeshtë.

Në shtator 2022, ish-ministri i Brendshëm Blendi Çuçi e cilësoi sekuestrimin e ndërtimit në kompanisë ‘Salillari’ si një “thellim të një lufte që vazhdon prej vitesh me paligjshmërinë në ndërtim”.

Por pak pas përfundimit të fushatës elektorale dhe zgjedhjeve të majit 2023,  shiritat e verdhë të bllokimit janë zhdukur nga objektet e konfiskuara për shkelje të lejeve të ndërtimit apo punime pa leje. Tabelat e shitjeve janë rivendosur aty ku kishin qenë më herët. Punëtorë e makineri iu rikthyen me vrull punës për të përfunduar ndërtimin, që tani bëhet de facto në prona publike të konfiskuara me vendim nga KKT.

Përveç objektit të kompanisë Salillari, BIRN filmoi gjatë gushtit edhe punimet në ndërtimet e sekuestruara nga kompania Xheluks dhe ARB & TRANS-2010.

Punimet po kryhen në mungesë të lejeve të azhornuara të ndërtimit.

Sekretarja e Këshillit Kombëtar të Territorit, Ledia Tota konfirmoi në bisedë telefonike se leje të reja nuk ishin dhënë.

“I kanë bërë aplikimet, por pa kontratën nuk mund të procedohet. Janë në procedurë e sipër”, tha ajo.

Të njëjtin fakt konfirmoi edhe  dhe Ekonomisë që është duke negociuar me ndërtuesit për kontrata të parablerjes që do i hapnin rrugë lejeve të reja, një element i parashikuar në  kontraverse të 7 shtatorit 2022 dhe ligjin 66/2023 për administrimin e këtyre godinave të konfiskuara që hyri në fuqi në gusht të këtij viti.

Ministria, që është pronare e objekteve sa kohë ato janë të konfiskuara, u justifikua se ajo nuk mund të kontrollonte nëse po kryheshin apo jo punime në këto ndërtesa, duke ia lënë përgjegjësinë institucioneve të tjera të kontrollit të territorit.

Kryeministria nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN mbi ligjshmërinë e vijimit të ndërtimeve në këto godina deri në publikimin e këtij shkrimi. Përgjigje mbi kontrollet në këto objekte dhe punimet aty, nuk kthyen as Policia e Tiranës dhe as Bashkia e Tiranës.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla u përgjigj shkurt në një mesazh se kompanitë, “punimet po i kryejnë në zonat me leje” të objekteve. “Për zonat pa leje do marrin leje në KKT,” pretendoi Balla.

Ndërkohë, drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Arens Çela i tha BIRN se rifillimi i punimeve ishte referuar penalisht në disa raste dhe se u ishte bashkuar procedimeve penale të vjetra mbi këto ndërtime. Vetë kompanitë Salillari, Xheluks dhe Arb & Trans-2010 nuk qenë të arritshme për koment.

Sipas Zef Preçit, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, e gjithë çfarë ndodhi me pallatet që kishin ndërtuar pa leje dhe rifillimi i punimeve sërish pa leje të reja është pjesë e  një farë rrengu elektoral për qeverinë dhe dëshmi e një marrëdhënie ekstra ligjore mes saj dhe bizneseve.

“Pra kemi të bëjmë me një presion elektoral, një përpjekje për t’u pasqyruar si në favor të ligjit nga ana e ekzekutivit dhe pushtetit lokal në periudhë zgjedhore dhe pastaj vazhdon rituali i zakonshëm i ‘bargain’ (pazar) i thonë në Anglisht, i negocimeve me biznesin në varësi me humorin e drejtuesve të qeverisë”, tha ai.

Ndërtim pa leje në pronë publike

Kullë
Kullë në ndërtim në sheshin Skënderbej në Tiranë

Në janar të këtij viti,  njoftoi se  kishte tashmë dy satelitë në hapësirë, një ndër funksionet e të cilëve do të ishte kontrolli më i mirë i territorit.  Por as satelitët dhe as institucionet që duhet të kontrollojnë territorin, nuk duket se vunë re rifillimin e punimeve në pallatet e konfiskuara nga KKT në Tiranë dhe të trumbetuara me bujë nga ministrat e qeverisë.

Bazuar në vendimet e Këshillit Kombëtar të Territorit të tetorit dhe nëntorit të vitit 2022, 25 objekte përfshi godinat në ndërtim nga kompanitë Salillari, Arb & Trans 2010 dhe Xheluks e ortakët e saj kanë tejkaluar lejet e ndërtimit. Tetë prej këtyre ndërtuesve i kanë tejkaluar me më pak se 10 për qind lejet, që nënkupton konfiskimin vetëm të pjesës pa leje. 13 objekte janë konfiskuar plotësisht për tejkalim të mbi 10 për qind të sipërfaqes me leje dhe 4 godina janë tërësisht pa leje ndërtimi.

Tre kompanitë Salillari, Arb & Trans 2010 dhe Xheluks e kanë tejkalua lejen e ndërtimit në mbi 10 për qind dhe objektet janë konfiskuar të plota.

Kështu, bazuar në vendimet e konfiskimit dhe mungesën e një vendimi të ndryshëm gjykate, pronare de jure i këtyre godinave është Ministria e Financave dhe Ekonomisë, e cila sipas vendimeve të KKT-së ka të drejtë të “aplikojë nëpërmjet sistemit e-leje, për miratimin e një Leje Zhvillimi/Ndërtimi të re”. Kjo leje do të riparonte problemet dhe legalizonte shtesat. Gjithashtu, ministria është ajo që mund të hyjë në marrëveshje për t’ia shitur objektin ndërtuesit, në mënyrë që këta më pas të pajisen me leje të reja nga bashkia apo KKT sipas parashikimeve në ligj.

Edhe pse këto procedura nuk janë realizuar dhe objektet janë pronë e shtetit, ato ruhen nga roje dhe në këto pallate punojnë punëtorë të kompanive private.

“Nuk është më në sekuestro, nuk e keni marrë vesh,”, thotë një punëtor që shkarkoi çimento në një nga katër kantieret e sekuestruara të kompanisë “Xheluks Construksion”.

Po ashtu, i bindur se çdo gjë është në rregull me ligjin ishte dhe roja i ndërtesës që po ndërtohet nga Arb & Trans 2010 në rrugën “”.  Ai na dha pa shumë shpjegime një copë letër, që sipas tij sqaron rifillimin e punimeve. Ai tha gjithashtu se letrën e mban aty, pasi ia ka kërkuar policia për shkak të rifillimit të punimeve.

Shkresa dyfaqëshe e trumbetuar nga roja është një dokument i dërguar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë për Bashkinë e Tiranës në 15 qershor, ku thuhet se për 8 nga pallatet e konfiskuara kishte filluar procedura “për parablerjen e objektit të konfiskuar”.

Në listë janë ndërtimet e  “Xheluks Construksion” sh.p.k dhe “Devis Construksion” sh.p.k,   “Xheluks Construksion”” sh.p.k dhe “Laxmi Real Estate & Investment” sh.p.k”,  “Xheluks Construksion” sh.p.k dhe “Devis Construksion” sh.p.k,   “Xheluks Construksion” sh.p.k dhe “” sh.a.,  “FABRI_D” sh.p.k (ish zhvillues “ERE Architecture & Construction” sh.p.k),  “ARB & TRANS-2010” sh.p.k,  “Salillari” sh.p.k dhe “Vinari” sh.p.k.

Por e pyetur nga BIRN, Ministria e Financave mohoi që kjo shkresë të shërbente si leje për të vijuar punimet.

“Të gjitha këto procese duhet të interpretohen sipas ligjit dhe jo në kapërcim të tij, si nga institucionet ashtu edhe nga vetë subjektet ndërtuese. Njoftimet e kryera nga ana jonë, kanë të bëjnë në lidhje me etapat e procesit nëpërmjet të cilit kalon ndërtimi i konfiskuar dhe jo me dhënien e lejes së ndërtimit apo për më tepër konfirmim për vijim të punimeve,” thuhet në përgjigjen me shkrim që BIRN mori nga .

Ministria i tha BIRN se kompanitë në fjalë dhe disa të tjera kishin paguar 10 për qind të vlerës së pjesës pa leje dhe një prej tyre kishte paguar 100 për qind të detyrimit për të rimarrë pronësinë mbi objektin dhe se në total ishin arkëtuar 265 milionë lekë.

Megjithatë, MFE sqaroi se deri në mes të gushtit, me asnjërën prej kompanive nuk ishte nënshkruar ndonjë kontratë që do të lejonte aplikimin për leje të re ndërtimi. Sipas ministrisë, ky ishte një hap tjetër i procesit dhe se deri sëfundmi vetëm një kompani ishte në proces negocimi për këtë kontratë.

“Me dakortësimin e akteve noteriale dhe  nënshkrimin e tyre mes palëve do të aplikohet pranë AZHT-së nga subjekti ndërtues për lejen e azhurnuar të objektit si dhe do të depozitohen aktet për regjistrim pranë ASHK-së, me qëllim heqjen e të gjitha barrave ligjore nga ana e shtetin mbi këto objekte”, tha MFE.

Megjithëse pronare e këtyre godinave, Ministria e Financave shpjegoi se nuk mund të kontrollonte nëse në to po punohej apo jo.

“MFE nuk ka kompetencë/detyrim ligjor për të ndjekur apo mbikëqyrur punimet apo ecurinë e tyre në terren, për objektet e konfiskuara. Për këtë arsye, nuk mund t’ju konfirmojmë nëse po kryhen punime aktualisht në objektet të cilat ju i referoheni, pasi nuk e disponojmë këtë informacion për sa kohë nuk është detyrë ligjore apo funksionale e MFE”, shkruan MFE në një përgjigje me shkrim.

Të pyetur nga BIRN mbi punimet e paligjshme që pro kryhen në këto ndërtesa,  dhe Bashkia e Tiranës  nuk kthyen përgjigje.

Për Zef Preçin, heshtja e autoriteve tregon se procesi nuk është ligjor.

“Sëpari tregon mungesë reference në ligj, sepse një pjesë e mirë e këtyre vazhdimeve të punimeve për sipërfaqet e paligjshme apo në tejkalim të lejeve të dhëna, pasqyrojnë marrëdhënie individuale personale të sipërmarrëvse me autoritetet përgjegjëse shtetërore, pra janë në mirëbesim. Nuk janë të mbështetura në ligj dhe në akte të shkruara,” tha ai.

Sipas Preçit, arsyet pas kësaj situate duhen parë në një fenomen që ai e cilëson si “qeverisje me emergjencë”.

Sipas tij, institucionet nuk janë në gjendje të përmbushin detyrimet ligjore, pasi mungojnë aktet e detajuara nënligjore dhe shpesh herë ka kontradikta mes këtyre akteve dhe përgjegjësitë nuk janë të qarta.

Standarde të dyfishta

Kantier ndërtimi
Punimet vazhdojnë në një objekt të konfiskuar nga Ministria e Financave pranë Kopshtit Zoologjik në Tiranë | Foto: Xhemali Moku/BIRN

Anëtarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës nga Lëvizja Bashkë, Mirela Ruko, thotë se mosveprimi i institucioneve ekspozon standardet e dyfishta që zbatohen nga qeveria ndaj qytetarëve të thjeshtë dhe ndërtuesve të mëdhenj.

“Si mendoni se do ndjehet një qytetar qe është dënuar … se ka bllokuar ballkonin e vet për të zgjeruar pak hapësirën e shtëpisë së vet, ndërkohë nga ana tjetër kemi një njeri që ndërton pesë gjashtë kate mbi lejen e ndërtimit dhe mbi atë s’ka ndodh asgjë, pyet Ruko. “Ligji nuk qenka i barabartë e ne nuk jemi të barabartë para ligjit të gjithë njësoj”, shtoi ajo.

Megjithatë, Prokuroria e Tiranës insiston se po i heton kompanitë. Në përgjigje të një kërkese për informacion, organi akuzës në kryeqytet vuri në dukje se hetimet e nisura që në vitin 2021 ishin në vijim. Madje, drejtuesi i Prokrurorisë së Tiranës, Arens Çela këmbënguli se procesi i nisur nga qeveria dhe negociatat e kompanive me MFE nuk ndikonin në hetim.

“Ne po i procedojmë për ndërtim pa leje në momentin e konstatimit të faktit, nëse marrin apo jo leje të mëpasshme kjo nuk e ndryshon faktin penal për Prokurorinë,” theksoi ai.

Çela megjithatë nuk iu përgjigj pyetjeve nëse Prokuroria mund të ndalonte vijimin e asaj që dyshon si vepër penale, sa kohë punimet vijonin.

Paditë në Gjykatën Administrative Tiranë të bëra pas konfiskimit të objekteve në ndërtim nga Salillari dhe Xheluks e të tjerë, të regjistruara në fillim të këtij viti, u pushuan me kërkesë të vetë paditësve. Njëlloj ndodhi edhe me një padi që përfshin ndërtimin e kompanisë RT Max, pranë Liceut Artistik, një ndërtim i përfunduar para se të bëhej konfiskimi për shkelje të lejes.

Një padi e ngjashme e bërë nga persona të tjerë dhe Arb & Trans 2010 është ende në gjykim, por sipas të dhënave në sistemin gjyqësor, seancat nuk janë zhvilluar. Në seancën e fundit për të cilën ka shënime të mbajtur në maj 2023, gjyqtari i çështjes Gentian Hamiti ka urdhëruar “Të përsëritet njoftimi për palën paditëse dhe palën e paditur”.

Transparencë e mangët

Shitjet rifillojnë në një pallat të konfiskuar nga shteti. Autoritet fshehin kokën në rërë | Foto: Xhemali Moku/BIRN

Në përpjekje për të kuptuar procesin e komplikuar të konfiskimit të këtyre objekteve BIRN u dërgoi kërkesa për informacion dhe pyetje Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Bashkisë së Tiranës, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës,  dhe Prokurorisë së Tiranës.

Por përgjigjet e marra nuk qenë të plota dhe në disa raste ishin kontradiktore.

Ministria e Financave këmbëngul se vendimet  e KKT-së mbi bazën e së cilave është kryer konfiskimi i këtyre objekteve, “janë regjistruar në drejtoritë vendore të ASHK-së”, sipas kartelave të pasurive të paluajtshme të cilat preken nga ndërtimet objekt vlerësimi dhe të konfiskuara nga shteti.

Por ASHK në përgjigjen e saj për BIRN tha se “aktualisht nga KKT nuk është përcjellë për regjistrim asnjë certifikatë përdorimi për objektet e konfiskuara, sipas vendimeve te cituara nga ju në kërkesë”.

Po ashtu, ndryshe nga qëndrimi i MFE se kishte aplikuar për “leje ndërtimi dhe certifikata përdorimi për rreth 26.000 m2 ndërtim”, Bashkia e Tiranës tha se nuk kishte aplikime në sistemin e-leje deri më 9 gusht”.

Si Ministria e Financave, ashtu edhe Bashkia Tiranë refuzuan të vënë në dispozicion dokumentacionin e kërkuar mbi këto ndërtime. Bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj kërkesës sa i përket procesverbaleve që vërtetonin shkeljet e lejeve të ndërtimit dhe masat e gjobës që ishin marrë nga , IMT pranë saj.

Ndërkohë, Ministria e Financave refuzoi të vinte në dispozicion raportet e vlerësimit të këtyre objekteve, mbi të cilat llogaritet edhe pagesa që duhej të bëjnë ndërtuesit për parablerjen e tyre. Në përgjigje me shkrim, MFE ka pretenduar se këto ishin “akte individuale në funksion të detyrës së ngarkuar me Urdhër Ministri dhe nuk mund të jenë objekt publikimi”.

Në përgjigjen e Ministrisë nuk shpjegohet se sa ishte llogaritur çmimi për metër katror i ndërtimeve me të cilat po procedohet për parablerje nga ndërtuesit dhe as sipërfaqen për të cilën ishte paguar shuma prej 265 milionë lekësh.


Shtuar 25.08.2023 13:34