Turqit, 120 milionë euro për Albtelekom
Pëlqej
Albeu.com
“Turk Telekom” ka qenë ofruesi i vetëm, duke kërkuar 76 % të aksioneve të gjigantit të telefonisë. ARMO nuk kërkohet nga asnjë kompani, tërhiqen dy ofruesit. Rezultatet shpallen në fund të muajit.Gjiganti i telefonisë fiske në vendin tonë, “Albtelekom” mund të shitet për dhe shumë shpejt duket se kjo do të ndodhë. Përveç kompanisë që është në pozita monopl në treg, duket se të njëjtin fat do të ketë dhe ARMO. Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar prej disa ditësh, dje është hedhur dhe një prej hapave të fundit në privatizimin e gjigantit të telefonisë fikse ku pas afrimeve nga vetëm dy kompani të huaja për privatizim është bërë hapja e ofertave për kompaninë ku aksioner me 100 për qind të aksioneve është shteti. Kështu, nga katër kompani që ishin ofruar për blerjen e ARMO dhe “Albtelekom”, vetëm një prej tyre ka paraqitur një ofertë për kompaninë e telefonisë fikse, pasi tri të tjerat janë tërhequr nga gara. Oferta e paraqitur për “Albtelekom” ka qenë 120 milionë euro dhe është bërë nga konsorciumi turk “Turk Telekom” (Calik Enerji Telekomunikasyon – Turqi). Ndërsa për ARMO-në, dy prej kompanive që kanë paraqitur interes janë tërhequr, por një prej tyre ka bërë një ofertë të ndryshme nga tenderi, pasi ka kërkuar marrjen me koncesion, kërkesë që është hedhur poshtë.
Kërkesa për “Albtelekom”
Dje pasdite është bërë dhe hapja e ofertave për dy kompanitë shtetërore. Pavarësisht se priteshin nga dy oferta për secilën kompani, e pranishme me ofertën e saj ka qenë vetëm një konsorcium turk që ka kërkuar të blejë “Albtelekom”-in duke ofruar 120 milionë euro. “Turk Telekom” ka dorëzuar ofertën pranë Komisionit të Vlerësimit të ofertave duke kërkuar privatizimin e 76 për qind të aksioneve, ofertë kjo që është pranuar nga komisioni. Po dje është bërë e ditur nga burimet e Ministrisë së Ekonomisë se pavarësisht nga oferta e vetme, gjithçka do të vazhdojë sipas procedurave dhe brenda tri javësh Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të japë përgjigjen për ofertën e paraqitur.
Për blerjen e “Albtelekom”, përveç “Turk Telekom” u ofrua dhe “Konsorciumi Telecom Korean”, kompani koreane e cila është tërhequr dje nga gara. Në projektet për privatizimin e “Albtelekomit” është parashikuar të shitet edhe licensa për kompaninë e tretë mobile. Planbiznesi i kompanisë ka vlerësuar se nga ana e qeverisë duhet të ndërmerret një investim që i kalon 10 milionë euro, vetëm për vendosjen e aparaturave për të mbuluar shërbimin mobil, që kjo kompani do të ofrojë në Ultësirën Perëndimore të vendit.
ARMO
Nëse për “Albtelekom” pati oferta, duket se për ARMO-në do të duhet më shumë kohë për t’u privatizuar, pasi asnjë prej dy kompanive që paraqitën interes për privatizim nuk janë paraqitur dje pasdite në ambientet ku duhet të dorëzoheshin ofertat. Gjithsesi, konsorciumi kanadez “Bankers Petroleum LTD”, kërkoi dje para Komisionit të Vlerësimit të Ofertave që të marrë me koncesion ARMO-në, kjo kundrejt vlerës 5 milionë euro, kërkesë kjo që nuk është pranuar. Për ARMO-në, në garë u afruan kompania kroate “INA”, si dhe kompania kanadeze “Konsorciumi Bankers Petroleum LTD”. Gazeta Shekulli
Shtuar më 07/05/2005, ora 23:04
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori